Përplasje fizike mes vëzhguesve në KZAZ-në 30 në Tiranë, KQZ u revokon akreditimin

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Një përplasje fizike ka ndodhur sot në KZAZ-në numër 30 në Yrshek, Tiranë, gjatë procesit të numërimit për votat preferenciale për kandidatët në zgjedhjet parlamentare te 11 majit.
Policia njoftoi se “rreth orës 14:30, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 30, në Yrshek, pasi gjatë procesit të numërimit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike janë konfliktuar me njëri-tjetrin”.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin R. N., 26 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt, për veprime të metejshme proceduriale.
Policia sqaroi se është i pavërtetë pretendimi se në konflikt janë përfshirë dhe punonjës policie.
“Vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë e rrethanave të konfliktit”, njoftoi policia.
Nga ana tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi revokimin e akreditimit të vëzhguesve në KZAZ-në nr. 30. /j.p/