Begaj dekreton Genti Shalën si gjyqtar të Gjykatës së Lartë

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekretoi ditën e sotme emërimin e Genti Shalës si gjyqtar të Gjykatës së Lartë.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 48 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Dekreti bazohet në vendimin nr. 818, datë 4 dhjetor 2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ka propozuar kandidaturën e Shalës për pozicionin e lirë në fushën e së drejtës penale, shpallur më herët me vendimin nr. 178, datë 11 maj 2022.
Sipas dekretit, Genti Shala emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë nga radhët e gjyqtarëve, ndërsa ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.
/e.i/j.p/