E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë policë nën akuzë për vrasje në Kosovë, publikohen pamjet e ngjarjes ku humbi jetën një 27 vjeçar

Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Lipjan, nën dyshimin për përfshirje në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Ngjarja tronditëse ndodhi më 7 korrik, kur Zejnullahu, i dyshuar se ishte nën ndikimin e alkoolit, sulmoi disa automjete dhe kalimtarë.

Pas ndalimit nga policia, 27-vjeçari humbi jetën në rrethana ende të paqarta, çka ka nxitur reagime të forta në Kosovë.

Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas shoqërohet me auto-ambulancë.

Familjarët e viktimës kanë shprehur shqetësim për mungesën e transparencës, duke theksuar se trupi i të riut kishte shenja të shumta dhe thyerje.

Hetuesit kanë arrestuar pesë policët, të cilët dyshohet se kanë kryer vrasje nga pakujdesia. Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë kërkuar një hetim të plotë dhe të ndershëm për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Po ashtu, edhe qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›