Philippe Collin sjell “Europën e Luftës”, Festivali i Letërsisë rithekson fuqinë e kulturës

Europa e Luftës së Dytë Botërore u soll në Festivalin e Letërsisë Evropiane përmes romanit historik të autorit francez Philippe Collin.
Autori foli për pasojat e luftës, kolaboracionizmin dhe rëndësinë e paqes. Ai theksoi se letërsia ndihmon në kuptimin e së shkuarës dhe në ndërtimin e mendimit kritik.
Në bisedën letrare, u nënvizua se njohja e historisë na orienton më mirë drejt së ardhmes. Në mbyllje të festivalit, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, tha se “Evropa është këtu”, duke e përkufizuar atë si kulturë dhe vlera të përbashkëta.
“Gjatë këtyre pesë ditëve të festivalit kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Kemi krijuar hapësira, kemi ndërtuar ura. Kemi kaluar mes korridoreve të kulturave, përvojave dhe këndvështrimeve që reflektojnë pasurinë e Europës, kësaj Europe që duam. Një Europë që është kaq e bashkuar dhe kaq diverse. Kemi ndihmuar gjithashtu të rinj të shprehin veten në letërsi”, tha Gonzato.
Festivali mblodhi intelektualë nga vende të ndryshme evropiane dhe nga Shqipëria. Tema të shumta u trajtuan, nga inteligjenca artificiale e deri te traumat dhe hapësirat ndërmjetëse. Pjesëmarrësit sollën ide dhe qasje që tejkalojnë kufijtë dhe ndërtojnë hartën kulturore të Evropës së sotme.
RTSH