Konflikt në aeroportin e Londrës – Policia arreston një të dyshuar, sulmoi me sprej piperi 21 persona

Policia britanike arrestoi një të dyshuar të dielën, pasi disa persona kërkuan trajtim mjekësor pas një sulmi me sprej me piper në një parking automjetesh në aeroportin Heathrow.
Policia Metropolitane e Londrës tha se incidenti në parkingun e Terminalit 3 u shkaktua nga një konflikt mes një grupi personash që njiheshin me njëri-tjetrin, ndaj ngjarja nuk po hetohej si akt terrorist. Autoritetet shëndetësore në kryeqytetin britanik njoftuan se ekipet e urgjencës trajtuan 21 pacientë, pesë prej të cilëve u dërguan në spital. Policia vuri në dukje se lëndimet nuk ishin kërcënuese për jetën.
“Një grup personash u spërkatën me atë që besohet të jetë një lloj spreji me piper nga disa të tjerë, të cilët më pas u larguan nga vendi i ngjarjes”– tha Policia e Londrës duke konfirmuar se një nga të dyshuarit ndodhet në paraburgim dhe hetimet vazhdojnë për të gjetur të dyshuar të tjerë.
Aeroporti Heathrow njoftoi se ekipet e tij, ku u përfshinë edhe shërbimet e emergjencës, reaguan ndaj incidentit, ndërsa u bëri thirrje pasagjerëve që do të udhëtonin drejt aeroportit më të ngarkuar të Evropës që të niseshin më herët se sa e kishin parashikuar.
Terminali 3 i aeroportit nuk u mbyll gjatë ngjarjes, por zyrtarët thanë se incidenti shkaktoi trafik të rënduar dhe ndërprerje të transportit publik në zonë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/