Pirdeni: Legjislacioni për zonat e mbrojtura do të harmonizohet me standardet e BE-së

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Legjislacioni për investimet dhe zonat e mbrojtura do të rishikohet dhe harmonizohet me kërkesat e Bashkimit Evropian, si pjesë e reformave të ndërmarra në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
E pyetur në konferencën për mediet se kur do të ndodhin ndryshimet e kërkuara nga Komisioni Evropian, Pirdeni tha se rishikimi tërësor i ligjit për investimet ka qenë dhe mbetet pjesë e prioriteteve që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të reformave të Planit të Rritjes.
“Qeveria është e angazhuar të adresojë në këtë ligj të gjitha kërkesat e Komisionit Evropian për të pasur një ligj të rishikuar të investimeve, i cili aktualisht është në proces diskutimi”, deklaroi Pirdeni.
Ajo theksoi se edhe legjislacioni për zonat e mbrojtura është pjesë e vëmendjes së shtuar në procesin e negociatave, pasi lidhet me Kapitullin 27 të acquis të Bashkimit Evropian.
“Legjislacioni për zonat e mbrojtura është Kapitulli 27, që do të thotë se i nënshtrohet të gjitha kritereve të përcaktuara në legjislacionin e BE-së për të pasur një qasje të përafruar me të gjitha kërkesat evropiane”, tha ministrja.
Pirdeni deklaroi se Shqipëria synon të përmbyllë brenda vitit 2027 të gjithë procesin teknik të kapitujve që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian.
“Qeveria ka marrë përsipër që brenda vitit 2027 të përmbyllim të gjithë procesin teknik të kapitujve që lidhen me procesin e integrimit në BE. Shqipëria duhet të përmbushë kriteret në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jetës sociale të vendit, ndërsa jemi drejt përfundimit të angazhimeve që kemi marrë për të avancuar në procesin e negociatave”, u shpreh Pirdeni.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria ka punuar për përmbushjen e piketave të ndërmjetme të procesit të negociatave, duke arritur përmbushjen e 91 kërkesave kritike të parashikuara nga Bashkimi Evropian.
“Kjo ishte një punë për të dëshmuar përpara Komisionit Evropian se procesi i reformave është serioz dhe prodhon rezultate”, deklaroi Pirdeni.
/e.xh/j.p/r.e/