Pirdeni: Shqipëria, në një moment vendimtar për të ardhmen europiane. Forcimi i institucioneve, kusht për anëtarësimin në BE

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Gjatë aktivitetit përmbyllës të Javës së Administratës Publike, një nga ngjarjet kryesore të organizuara nga ministria, Pirdeni tha se është ndërmarrë një iniciativë dialogu për të diskutuar sfidat me të cilat përballet administrata publike në kuadër të procesit të integrimit europian.
Sipas ministres, anëtarësimi në BE nuk është vetëm një proces negociatash, por edhe një mundësi për shtetformim dhe për ndërtimin e institucioneve më të forta, të afta për t’u përballur me çdo rrezik, përfshirë edhe abuzimin me funksionin publik.
“Përmbyllja e javës së administratës publike, një nga eventet tona kryesore. Kemi nisur një iniciativë për të dialoguar për mënyrën si do adresojmë sfidat që sot administrata publike ka në kuadër të anëtarësimit në BE. Procesi i anëtarësimit është një proces sfidash dhe mundësi e madhe e shtetformimit për Shqipërinë. Kjo duhet parë si mundësi për të forcuar dhe konsoliduar institucionet dhe për ti bërë ato imune ndaj çdo rreziku që mund të vij, qoftë dhe rreziku që vjen në formë abuzimi të funksionit publik. Në fokus këtë javë kanë qenë dhe iniciativat tona në kuadër të luftës kundër korrupsionit”, tha ministrja.
Pirdeni theksoi se gjatë kësaj jave një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe iniciativave në kuadër të luftës kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë si një prioritet në rrugën e integrimit europian.
“Ndodhemi në një moment vendimtar për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, u shpreh ministrja, duke nënvizuar rëndësinë e reformave dhe të një administrate publike me integritet për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian.
Ministrja u ndal edhe te reforma në administratën publike, të cilën e cilësoi si “reforma mbi reformat”, pasi, sipas saj, çdo ndërhyrje në mënyrën e funksionimit të administratës ndikon drejtpërdrejt në të gjithë sektorët e qeverisjes.
Pirdeni tha se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të reformës në administratën publike, duke theksuar se vendi ka tashmë një strategji të qartë për zhvillimin e këtij sektori, si dhe një sistem të modernizuar të rekrutimit dhe zhvillimit të karrierës në shërbimin civil.
Megjithatë, sipas saj, nevojiten masa të mëtejshme për ta bërë administratën më të hapur ndaj prurjeve të reja, më të fortë dhe më të aftë për të përballuar sfidat e negociatave me Bashkimin Europian dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi.
“Reforma në administratën publike është reforma mbi reformat, sepse ndërhyrjet që ne ndërmarrim në mënyrën se si funksionon administrata kanë impakt të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e administratës. Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të reformës. Aktualisht ka një strategji të qartë, të mirëpërcaktuar se ku do të shkojë me administratën publike, ka sistem të modernizuar të rekrutimit dhe rritjes në karrierë në shërbimin civil”, u shpreh ministrja.
Pirdeni theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e saj europiane, ku reformat dhe një administratë publike profesionale mbeten elementë kyç për avancimin e procesit të integrimit.
“Duhet gjithashtu të marrë një sërë masash, të cilat e forcojnë sistemin dhe i japin mundësi sistemit të bëhet më i hapur ndaj prurjeve të reja, të bëhet më i fortë, më solid dhe të ketë kapacitetin për të përballuar fazën e negociatave dhe të përballet me sfidat e të qenit një vend anëtar. Po përqendrojmë punën tonë drejt forcimit të kapaciteteve administrative, shtojmë fokusin tonë te stafet tona”, theksoi ajo.
/rtsh.al/