E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesë e grupit të trafikut të drogës, GJKKO lë në burg Eralb Breçanin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Eralb Breçani, djali i ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, duke rrëzuar ankimin e paraqitur prej tij.

Vendimi u mor këtë të mërkurë nga gjyqtari Dhimitër Lara. Ankimi kishte si objekt verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurisë dhe nevojave të sigurimit për Breçanin, si dhe kërkesën për ndryshimin e masës “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli i GJKKO vendosi të miratojë vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Dhimitër Lara, sot më datë 09.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 27 akti, datë 03.07.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.B: “Ankim kundër vendimit nr. 43, datë 15.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit për të arrestuarin E.B dhe vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.”, si vijon:

-Miratimin e urdhrit nr. 43, datë 15.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

U shpall më 09.07.2026”, thuhet në njoftim.

Sipas SPAK, Eralb Breçani akuzohet për “Trafikim narkotikësh” në kuadër të një “Grupi të strukturuar kriminal”, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim me të atin.

Hetimet e SPAK zbulojnë se ky grup kriminal ka qenë i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, duke shfrytëzuar lidhjet e tyre në Amerikën Latine dhe Evropë për furnizim dhe transport.

Përveç kësaj, ata akuzohen se kanë pastruar paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal përmes investimeve të dukshme legjitime, me qëllim fshehjen e burimit të vërtetë të të ardhurave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›