E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pjesë e një grupi kriminal, arrestohet në Britani 30-vjeçari shqiptar, pritet ekstradimi

Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në pranga në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u bë e mundur kapja në Mbretërinë e Bashkuar dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit: Xh. H., 30 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 22.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Gjatë megaoperacionit të koduar “Stuhia”, që goditi këtë grup kriminal, në muajin nëntor 2022, në fshatin Drenovicë, Berat, Policia sekuestroi 870 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. 

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet britanike për ekstradimin e 30-vjeçarit në Shqipëri, ku ai do të përballet me drejtësinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›