E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset në detyrë një ushtar i Forcave të Armatosura gjatë aksionit për shuarjen e zjarreve në Mirditë

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një informim zyrtar lidhur me gjendjen shëndetësore të efektivit të Forcave të Armatosura, A. K., i cili u dëmtua gjatë operacioneve ushtarake për shuarjen e zjarreve në territorin e Mirditës.

Incidenti ndodhi gjatë procesit të furnizimit me ujë të një mjeti zjarrfikës, kur shkëputja e një kokës metalike nga tubi i presionit të lartë goditi ushtarin. Për shkak të dëmtimeve të marra, efektivi është transportuar me urgjencë përmes një helikopteri të FA-së drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtimin e specializuar mjekësor.

Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet spitalore dhe mbrojtja, efektivi po ndiqet drejtpërdrejt nga mjeku neurokirurg dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Efektivi i FA po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjatë qëndrimit në spital, ushtari i dëmtuar është vizituar nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjenerallejtënant Arben Kingji, të cilët u interesuan nga afër për ecurinë e shëndetit të tij. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se po vijon ta ndjekë me përparësi gjendjen e efektivit, ndërkohë që operacionet e ushtrisë për kontrollin e vatraë të zjarrit në terren vazhdojnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›