E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosja e Juxhin Hamajesit në Tiranë, zbardhet ngjarja, në kërkim 3 persona /EMRAT

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku i plagosur me armë zjarri mbeti shtetasi Juxhin Hamajezi 34 vjeç.

Blutë e kryeqytetit sqarojnë se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 persona, një si autor i dyshuar dhe dy të tjerët si bashkëpunëtorë.

I dyshuari në kërkim është Klodian Kallo dhe dy bashkëpunëtorët Gjergji Lleshi dhe Lulzim Mejdani.

“Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua autori i dyshuar i plagosjes për motive të dobëta, shtetasi K. K., 31 vjeç, si dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gj. Ll., 36 vjeç dhe L. M., 45 vjeç. Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit. Shtetasi i plagosur, J. H., është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, kujtojmë se një ditë më parë, për autoritetet, Juxhin Hamajesi tha se ngjarja ishte një konflikt çasti për motive të dobëta, por emri i tij ka qarkulluar në media edhe më parë.

Hamajesi nuk është emër panjohur për policinë. Ai ka mbetur i plagosur në vitin 2018 pasi u qëllua me armë zjarri nga ish-efektivi Santiago Malko në lokalin “Enea” në zonën e Kinostudios.

34-vjeçari rezulton të jetë arrestuar edhe në qershor 2021 i dyshuar për trafik klandestinësh sirianë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›