Plani i Trump për Gazën-Berisha: Arritje e madhe diplomatike e Shtëpisë së Bardhë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përshëndetur zhvillimet e fundit në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë miratuar një plan paqeje për të përfunduar konfliktin në Gazë.
“Zbatimi i këtij plani të miratuar në takimin në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Izraelit, Netanyahu hap rrugën për përfundin e konfliktit, lirimin e të gjitha pengjeve nga Hamasi dhe tërheqjen e Izraelit nga pushtimi i Gazës dhe vendosjen e paqes. Netanyahu i kërkoi të falur Katarit për sulmin ajrëor në Doha. Qeveria, vendet arabe të rajonit dhe disa vende tjera si Turqia, Pakistani, Indonezia përshëndetën lidershipin e Presidentit Trump dhe përpjekjen e tij të sinqertë në përfundimin e konfliktit në Gaza”, shkruan Berisha.
Në emër të Partisë Demokratike, Berisha ka përshëndetur këtë plan duke e cilësuar si “arritje të madhe diplomatike të Shtëpisë së Bardhë dhe uroj që plani i Presidentit Trump për përfundimin e konfliktit në Gaza të shërbejë si projekt për një paqe të qendrueshme në rajon”.
Plani i Trumpit hap rrugën për një armëpushim, lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtur nga Hamasi, tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe vendosjen e një qeverie tranzitore teknokratike nën mbikëqyrjen e një Bordi Ndërkombëtar të Paqes, të kryesuar nga vetë presidenti Trump, me pjesëmarrjen e ish-kryeministrit britanik Tony Blair.
Nëse Hamasi refuzon planin, Izraeli ka paralajmëruar se do të vazhdojë operacionet ushtarake për të çrrënjosur kërcënimin terrorist, por me mbështetjen e plotë të SHBA-së për një zgjidhje paqësore.
Një moment kyç takimit Trump-Netanjahu ishte falja që kryeministri Netanyahu i kërkoi Katarit për sulmin ajror të 9 shtatorit në Doha, i cili synonte udhëheqës të Hamasit, por rezultoi në vrasjen e një roje sigurie katariase dhe shkeljen e sovranitetit të Katarit.
/rtsh.al/