Pogradeci hap sezonin turistik më 31 maj, aktivitete kulturore dhe sportive

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Pogradeci, një ndër destinacionet më të preferuara në çdo stinë nga pushuesit vendas dhe të huaj, do të hapë zyrtarisht sezonin veror më 31 maj.
Gjatë fundjavës në këtë qytet do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe koncerte muzikore.
Agjencia Kombëtare e Turizmit fton qytetarët t’i bashkohen kësaj feste.
“Më 31 maj, kur dielli të ngrihet mbi liqen, Pogradeci do zgjohet me festë. Çelja e sezonit turistik buzë liqenit ju fton në argëtim, ku era do sjellë aromën e gatimeve tradicionale dhe muzika do mbushë ajrin me gëzim”, thekson AKT.
Gjatë ditës qytetarët dhe turistët do të marrin pjesë në sportet ujore, ekspozitat dhe panairet e traditës.
Ndërsa në mbrëmje do të zhvillohen koncerte me pjesëmarrjen e artistëve Eli Fara, Mimoza Shaholli, Rajmond Gusho, Sardi Struga, Wizzi DJ, Parodistët e Vlorës, etj.
I ndodhur përballë Ohrit dhe Strugës, 39 km larg Korçës, në breg të Liqenit të Ohrit dhe rrëzë Malit të Thatë, qyteti i Pogradecit është një nga atraksionet më të bukura turistike të vendit, që mirëpret vizitorë në çdo stinë të vitit.
Zonat më të vizituara mbeten Prespa, Driloni, Tushemishti, pa harruar liqenin e Ohrit, që është perlë e papërsëritshme natyrore, klimatike, relaksuese dhe frymëzuese.
Pogradeci dhe rrethinat e tij, tashmë janë shndërruar në një destinacion turistik, ku krahas investimeve në infrastrukturë përparësi po marrin investimet në bujtina, qendra akomodimi hoteleri dhe biznese turistike, që po i përgjigjen kërkesës gjithnjë e në rritje të fluksit të turistëve të huaj dhe atyre vendas, një atraksion i përhershëm turistik për natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë.
/k.s/r.e/a.f/