Policia Kufitare e Vlorës, gjoba dhe bllokime të mjeteve lundruese për shkelësit e ligjit

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Policia Kufitare e Vlorës ndëshkoi ditën e sotme me gjobë disa të rinj që duke lëvizur me mjete lundruese në afërsi të bregut, rrezikuan pushuesit.
Policia Kufitare e Vlorës vendosi gjoba në masën prej 500.000 dhe 510.000 lekë të rinj, si dhe u bllokon mjetet lundruese.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, evidentuan drejtuesin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, i cili kishte lundruar pranë bregut në plazhin e Semanit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. D., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua administrativisht.
Po ashtu, gjatë patrullimeve në afërsi të Zvërnecit, në zonën e plazhit të Hidrovorit, Policia Kufitare konstatoi një gomone që lëvizte në mënyrë të paligjshme brenda perimetrit të sigurisë, pranë zonës ku pushonin qytetarët.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi J. H., nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues. Për këtë shkelje ndaj tij u vendos një masë administrative prej 510 mijë lekësh të rinj, si dhe u bllokua administrativisht gomonia.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke theksuar se çdo shkelje që cenon jetën dhe sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet menjëherë në përputhje me ligjin.
/e.i/ /a.g/