Policia Rrugore monitorim intensiv në Tiranë, procedohen 11 drejtues mjetesh

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Policia Rrugore, prej 72 orësh ka qenë në monitorim intensiv në të gjitha akset e kryeqytetit.
Në një njoftim, Policia e Shtetit bën me dije se fokuset e monitorimit kanë qenë parkimi i automjeteve në trotuar duke penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve në korsitë e dedikuara për biçikleta, taksi ose autobusë, si edhe zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor/përdorimi i kaskës mbrojtëse, nga përdoruesit e monopatinave/motomjeteve.
Sipas Policisë, si rezultat i kontrolleve, 19 automjete të parkuara gabim u tërhoqën me mjetngritës, u vendosën masa administrative për shtetasit që lëvizin me monopatina dhe nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa u arrestua 1 shtetas që lëvizte me automjet, me doza Cannabis me vete dhe një tjetër që lëvizte pa rrip sigurimi, i cili nga verifikimet rezultoi me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Policia njofton se janë arrestuar/proceduar 11 drejtues automjetesh.
Policia Rrugore apelon sërish për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, me theks të veçantë te mosparkimi i automjeteve në hapësirat e rezervuara për transportin publik ose lëvizjen e biçikletave.
Gjithashtu, apelon për përdorim të rregullt të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve dhe monopatinave, si një detyrim jetik për sigurinë në rrugë.
/e.i/j.p/