AKMC: Mbi 100 forca në terren dhe ndërhyrje nga ajri për izolimin e zjarrit në landfillin e Elbasanit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile njoftoi sot se prej më shumë se 72 orësh vijon puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të bashkisë Elbasan.
Sipas AKMC situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore.
Në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje, sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.
Ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara.
Aktualisht mjetet e rënda vetëshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompa thithëse me kapacitet të lartë mundësojnë hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive.
Gjithashtu, operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore.
Autoritetet vendore dhe qendrore mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin në mjedis. Publiku do të vijojë të informohet rregullisht mbi zhvillimet më të fundit.
/m.q//a.f//r.e/