E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Durrësit, mbi 1300 gjoba për shkelje rrugore

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Policia Rrugore e Durrësit ka vijuar monitorimin intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Sipas njoftimit nga kjo polici, ndër fokuset e punës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, si dhe i mjeteve që qarkullojnë me xhama të riveshur, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.

Sipas të dhënave të Policisë, gjatë periudhës 4-10 gusht 2026, si rezultat i kontrolleve janë arrestuar 10 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1360 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia njofton se nga këto, 777 masa janë vendosur për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara, 460 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 40 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, 36 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 30 për parakalime të gabuara dhe 17 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur mjetet bashkëkohore logjistike në dispozicion, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e ngjarjeve me pasoja.

Policia Rrugore e Durrësit u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve.

Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›