Zjarret, Forca Tokësore angazhon 113 efektivë në Përmet, Patos dhe Lurë

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Forca Tokësore ka vijuar që prej orëve të para të mëngjesit angazhimin në operacionet për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, në mbështetje të autoriteteve civile dhe komuniteteve të prekura.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut (RKJ) ka angazhuar 60 efektivë, së bashku me automjete zjarrfikëse, në operacionet në fshatin Badonjë, Bashkia Përmet, si dhe në Drenie të Patosit.
Ndërkohë, Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut (RKV) ka angazhuar 53 efektivë, të pajisur me mjete dhe automjete zjarrfikëse, në operacionin për shuarjen e zjarrit në zonën e Lurës.
Në total, Forca Tokësore ka angazhuar 113 efektivë në këto tre zona, ndërsa operacionet vijojnë në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Forca Tokësore deklaron se mbetet e gatshme për të ndërhyrë në mbështetje të autoriteteve civile dhe komuniteteve të prekura nga zjarret.
Ministria e Mbrojtjes apelon qytetarët për kujdes, vigjilencë dhe përgjegjshmëri, duke theksuar rëndësinë e parandalimit dhe raportimit në kohë të vatrave të zjarrit për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
1 nga 7/gj.m/a.f/r.e/