Bllokohen mallra të dyshuara për shkelje të pronësisë intelektuale në Kakavijë

Rreth 1500 palë atlete, të dyshuara për cenim të një marke tregtare, janë bllokuar nga strukturat doganore në pikën kufitare të Kakavijës. Ngarkesa u zbulua gjatë një kontrolli fizik mbi një mjet transporti të deklaruar për regjim tranziti.
Sipas verifikimeve, pjesa tjetër e mallrave ishte në përputhje me deklarimin doganor, ndërsa produktet e dyshuara u sekuestruan për procedura të mëtejshme. Mjeti u vendos në parkimin doganor dhe po mbahet nën monitorim deri në përfundim të hetimeve administrative.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson angazhimin e saj për forcimin e kontrolleve, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe respektimin e legjislacionit në fushën e tregtisë dhe të drejtave të pronësisë intelektuale.
/rtsh.al/