E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e parë e një lideri opozitar tajvanez në Kinë pas një dekade: Cheng Li-wun kërkon paqe, ndërsa Pekini shton presionin ushtarak

Udhëheqësja e opozitës në Tajvan, Cheng Li-wun, do të vizitojë sot Pekinin me ftesë të Presidentit Xi Jinping, në atë që ajo e ka cilësuar si një “udhëtim për paqe”.

Vizita është e para e një lideri opozitar tajvanez në Kinë pas një dekade dhe vjen pak javë para takimit të planifikuar midis Xi dhe Presidentit amerikan Donald Trump në maj.

Para nisjes nga Taipei, kryetarja e Kuomintangut deklaroi se Tajvani duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të promovuar paqen dhe për të shmangur luftën.

“Qëllimi i kësaj vizite është t’i tregojmë botës se paqja nuk është vetëm dëshirë e njëanshme e Tajvanit,” tha Cheng, duke shtuar se pret që dialogu dhe shkëmbimi paqësor të shërbejnë si rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kinën.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll.

Pekini ka intensifikuar presionin ushtarak, duke dërguar avionë luftarakë dhe anije detare pranë ishullit pothuajse çdo ditë, si dhe duke organizuar stërvitje të mëdha ushtarake rreth tij.

Vizita e Cheng-ut zhvillohet në një moment kur parlamenti tajvanez, i kontrolluar nga opozita, ka bllokuar një buxhet të posaçëm prej 40 miliardë dollarësh për mbrojtjen.

Ndërkohë, administrata Trump ka miratuar një paketë shitjesh armësh për Tajvanin me vlerë mbi 10 miliardë dollarë, duke përfshirë raketa me rreze të mesme, obus dhe dronë – një vendim që ka zemëruar Pekinin.

Në një telefonatë të muajit shkurt, Xi Jinping i tha Trump-it se “Tajvanit nuk do t’i lejohet kurrë të ndahet nga Kina” dhe i kërkoi SHBA-së të trajtojë me maturi çështjen e shitjes së armëve.

Pekini e ka cilësuar çështjen e Tajvanit si “më të rëndëshmen” në marrëdhëniet Kinë–SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›