Policia e Tiranës arreston pronarin e një servisi automjetesh me dyshimin për mashtrim

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, i dyshuar për mashtrim ndaj klientëve, ndërsa ka dokumentuar gjashtë raste të kësaj veprimtarie kriminale.
Sipas njoftimit të Policisë, ”operacioni i koduar ‘Skema’, i zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u finalizua pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët pretenduan se automjetet e tyre nuk ishin riparuar, pavarësisht se kishin kryer pagesat përkatëse”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi me inicialet M. H., 37 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrim”.
Nga hetimet paraprake rezulton se, përveç moskryerjes së riparimeve, ai dyshohet se në disa raste ka tentuar të shesë automjetet që klientët i kishin lënë në servis.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi pesë automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre./ /gj.m/ a.jor.