E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia godet skemat piramidale online, 6 të arrestuar dhe 2 në kërkim. Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash

Policia ka zhvilluar këtë të diel (14 shtator) një aksion kundër skemave piramidale që qarkullojnë online, duke çuar në pranga 6 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Operacioni u shtri në disa qytete, Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, ku u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash.

Përmes një konference për shtyp, Policia e Shtetit bëri me dije se në pranga kanë rënë 3 persona nga Lushnja, një nga Tirana dhe 2 nga Divjaka. Ata dyshohet se kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese.

Policia thotë se organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe se po punohet për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.

Gjatë këtij aksioni u sekuestruan 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga. Gjithashtu, u  ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal

Edhe njëherë, Policia e Shtetit i bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e skemave të tilla, pasi nuk bëhet fjalë për investime reale, por një mekanizëm për të përfituar fonde përmes mashtrimit.

“Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi – janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit“, bën thirrje policia.

Autoritet shqiptare ngritën alarmin disa javë më parë në lidhje me këto skema mashtruese investimesh online. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) i bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre platformave, duke theksuar se përfshirja në to mund të shkaktojë humbje të mëdha financiare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›