10 anije tregtare për përpunim në portin e Durrësit

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Fillimi i javës ka sjellë intensitet të lartë pune në portin e Durrësit, ku janë planifikuar për përpunim 10 anije tregtare, kryesisht të ngarkuara me lëndë të para për sektorin e ndërtimit.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, aktualisht në përpunim ndodhen 6 anije, konkretisht 2 anije me rreth 5050 tonë xhama, 3 anije me rreth 6650 tonë çimento dhe 1 anije me afro 4950 tonë melaminë.
Këto mallra furnizojnë drejtpërdrejt industrinë e ndërtimit dhe kantieret në të gjithë vendin, duke mbështetur projektet infrastrukturore dhe zhvillimin urban.
Autoriteti portual bëri të ditur se ritmet e larta të përpunimit pasqyrojnë një kërkesë të qëndrueshme për materiale ndërtimi, si dhe funksionimin efikas të zinxhirit logjistik, nga mbërritja e anijeve në port, deri te shpërndarja në tregun vendas.
Porti i Durrësit mbetet nyja kryesore e transportit detar në vend, duke luajtur një rol thelbësor në mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë.
/e.xh/j.p/r.e/