Portugalia njeh zyrtarisht Palestinën, i bashkohet Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe Australisë

Portugalia njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke iu bashkuar vendimit të Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Në një fjalim në Nju Jork, Ministri i Jashtëm Paulo Rangel tha se “Portugalia mbështet një zgjidhje me dy shtete si e vetmja rrugë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
“Sot, më 21 shtator 2025, shteti portugez njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës”, filloi deklarata Rangel, duke theksuar se vendimi ishte rezultat i një dakordësie midis Presidentit të Republikës dhe shumicës së partive në parlament.
Njohja është “realizimi i një linje themelore, konstante dhe konsensuale të politikës së jashtme portugeze”, tha ai, duke theksuar se zgjidhja me dy shtete është “e vetmja rrugë drejt paqes”, raportoi Radio Televizioni i Portugalisë, RTP.
“Portugalia do të ecte përpara vetëm së bashku me një grup shtetesh perëndimore që kanë qëndrime të përbashkëta për këtë çështje prej kohësh dhe nëse deklarata në fjalë do të kishte një efekt të dobishëm, të prekshëm dhe pasues”, deklaroi ai.
Rangel kujton se “kjo deklaratë nuk e fshin katastrofën në Gaza” dhe thekson se “një armëpushim dhe lirimi i pengjeve janë thelbësore dhe urgjente”.
“Në këtë ditë kur Portugalia njeh Shtetin e Palestinës dhe riafirmon vullnetin e saj për të forcuar marrëdhëniet e thella dhe afatgjata të miqësisë midis popullit portugez dhe popullit izraelit, si dhe marrëdhëniet e ripërtërira dhe premtuese të miqësisë me popullin palestinez, ne kërkojmë, nga thellësia e zemrave tona, që të ndalen të gjitha armiqësitë, që të jepet një mundësi për të rivendosur ndihmën humanitare dhe që të hapet një rreze drite për paqen”, tha Paulo Rangel.
Ministri i Punëve të Jashtme thekson se Portugalia synon të mbajë “marrëdhënie paqësore, të frytshme dhe fitimprurëse” me të dy shtetet dhe shpreson që Izraeli “të mund ta kuptojë qëndrimin tonë”.
“Nuk është bërë kurrë kundër Izraelit. Është bërë në favor të paqes dhe të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje. Është koha për të ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt paqes”, përfundoi ai.
Portugalia iu bashkua kështu Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë, të cilat e njoftuan vendimin e tyre më herët këtë pasdite, duke u bërë vendi i 13-të i Bashkimit Evropian që njeh shtetin palestinez.
Njohjet bëhen para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë, ndërsa Izraeli është shprehur më herët se “nuk do të ketë një shtet të Palestinës”, ndërsa shton se këto njohje janë “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”.
/rtsh.al/