E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeplaku rrihet për shkak të detyrës, i rrëmbehet vula

Sulmi ndaj Ardjan Doçit ka ndodhur një javë më parë por policia ka fshehur ngjarjen. Denoncimi i të dëmtuarit

SHKODËR- Kryetari i fshatit Stajka në Shkodër është goditur për shkak të detyrës dhe i është marrë vula zyrtare nga persona ende të panjohur. Sulmi ndaj Ardjan Doçit ka ndodhur më 23 gusht por vetëm dje është bërë publik nga vetë i dëmtuari pasi policia ka preferuar që ta mbajë të fshehtë. Gjatë këtyre ditëve, i dëmtuari ka qenë në spitalin e Shkodrës dhe në atë Ushtarak në kryeqytet. Sipas Ardjan Doçit, katër persona i kanë zënë pritë pranë rrugës hyrëse për në oborrin e shtëpisë mbrëmjen e 23 gushtit. Ai ka qenë duke u kthyer në banesën ku jeton me gruan dhe dy fëmijët e mitur por agresorët e maskuar e kanë goditur me mjete të forta dhe e kanë lënë pa ndjenja. Ata i kanë marrë rreth 30 mijë lekë të reja që kishte me vete por edhe vulën e kryetarit të fshatit. Pasi ka dalë dje nga Spitali ushtarak ai ka akuzuar policinë se nuk ka marrë asnjë masë për të zbardhur ngjarjen, madje është përpjekur që ta mbajë të fshehtë. “Ka qenë data 23 gusht kur me makinë po kthehesha në shtëpi. Në rrugën para derës së oborrit, rreth tre metër pa marrë kthesën për të hyrë, jam ndaluar nga katër persona që më kanë nxjerrë nga automjeti dhe më kanë goditur në kokë. Jam përpjekur të largohem duke vrapuar në rrugicën përballë banesës sime por janë zënë prej tyre në mes të rrugicës tek disa gurë dhe goditjet kanë vazhduar. Kam mundur të fiksoj njërin prej tyre, i cili ishte pa maskë dhe që është bashkëfshatari im Kastriot Gavoçi. I rrëzuar në tokë, me gjakun që më rridhte dhe me plagë në trup, kam parë dy prej tyre që kishin hyrë në mjetin tim dhe po merrnin diçka. Më pas kam humbur ndjenjat”,- thotë i dëmtuari duke rrëfyer ngjarjen. Ai mendon se e gjithë ngjarja lidhet me detyrën e tij si kryetar i fshatit Stajkë, pasi as ai e as familja nuk kanë pasur ndonjë herë probleme. “Mendoj se goditja ndaj meje është kryer për shkak se kam ndaluar përdorimin e shtratit të lumit Drin që kalon në territorin e fshatit Stajkë për nxjerrje inertesh. Ka qenë një vendim i komunës për ndalimin e aktiviteteve të paligjshme në këtë fushë dhe unë vetëm kam zbatuar ligjet”,- thotë Doçi. Ai shpjegon se edhe një vit më parë është goditur dhe është kërcënuar por as atëherë policia dhe prokuroria nuk kanë marrë asnjë masë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›