Ndryshime në postet drejtuese të sistemit shëndetësor, largohen drejtori i QSUT-së dhe ai i Fondit të Sigurimit

Disa ndryshime kanë ndodhur në sistemin shëndetësor, ku konfirmohet se janë larguar nga postet e tyre, drejtori i QSUT-së dhe drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Drejtori Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Florenc Spaho, ka dhënë dorëheqjen vetëm dy muaj pasi mori drejtimin e QSUT-së. Në vend të Spahos, QSUT-ja i është besuar Anxhela Paparizos.
Ka qenë vetë Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila e ka prezantuar drejtuesen e re. Paparizo ka një përvojë të gjatë në Administratën Publike, e profilizuar profesionalisht në fushën e lidershipit dhe e vlerësuar me çmimin “Elita e Gruas Shqiptare në Botë”, duke qenë nga radhët e diasporës në Kanada.
Gjithashtu edhe drejtori i FSDKSH-së, Spartak Zekja, është larguar nga posti që ai mbante prej shtatorit të vitit 2023, për t’u zëvendësuar nga Arti Papajani.
/rtsh.al/