E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera gjallëron parkun e Butrintit, turistët vlerësojnë bukurinë natyrore dhe historinë

Pranvera ka rikthyer gjallërinë në Parkun Kombëtar të Butrintit, duke e shndërruar atë në një nga destinacionet më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj. Natyrës i është kthyer freskia, gjelbërimi dhe ngjyrat e shumta, ndërsa rrënojat antike marrin një pamje edhe më magjepsëse nën dritën e kësaj stine.Me përmirësimin e motit, parku po mirëpret një numër të lartë turistësh që zgjedhin të eksplorojnë historinë dhe bukuritë natyrore që ofron kjo pasuri e trashëgimisë botërore. 

“E vizituam parkun sepse është një thesar kombëtar, është një sit i trashëgimisë së UNESCO-s. Gjithashtu, rrënojat janë shumë mirë të ruajtura. Na pëlqen fakti që janë ende në gjendje shumë të mirë. Po ashtu, ka edhe  natyrë të mrekullueshme . Disa nga parqet këtu janë më mirë të ruajtura sesa në Mbretërinë e Bashkuar, sepse moti në Mbretërinë e Bashkuar është më i keq dhe këto struktura gërryhen më shpejt. Kur udhëton në një vend, je kurioz, dëshiron të mësosh më shumë për të, ta eksplorosh dhe ta shohësh vetë.”

“Është hera e parë në Shqipëri dhe hera e parë në këtë park .Unë zakonisht bëj fotografi të tabelave dhe pastaj i kërkoj më vonë dhe i studioj pak. Ka shumë informacion për t’u përthithur nga ato.”

Vizitorët shijojnë shëtitjet mes monumenteve të lashta dhe liqenit, duke krijuar një përvojë të veçantë mes kulturës dhe natyrës.

“Është hera jonë e dytë në Shqipëri, por hera e parë në pjesën jugore të Shqipërisë. Në fakt, kjo është pjesa më e bukur ku kemi qenë ndonjëherë. Është shumë mirë e ruajtur, gjithashtu moti është fantastik. Ne i inkurajojmë të gjithë të vijnë këtu. Është një vend që duhet parë patjetër. Gjithçka që kemi lexuar në internet dhe në faqe të ndryshme është e vërtetë, dhe këtu mund të shohësh histori shumë të bukur antike.”

“Parku ishte shumë i bukur dhe peizazhi, madje edhe uji brenda parkut ishte shumë i bukur. Mendoj se kushdo që viziton Shqipërinë duhet të vijë këtu. Ne nuk kemi parqe të tilla me histori antike, por kemi gjithashtu shumë vende të bukura, veçanërisht kur bëhet fjalë për natyrën. Prandaj i inkurajojmë të gjithë edhe nga Shqipëria të vizitojnë Poloninë.”

Rritja e fluksit të turistëve gjatë pranverës konsiderohet një sinjal pozitiv për turizmin në zonë. Autoritetet dhe operatorët turistikë po angazhohen për të ofruar shërbime sa më cilësore, duke e bërë Parkun Kombëtar të Butrintit një destinacion gjithnjë e më të preferuar për të gjithë ata që kërkojnë të zbulojnë historinë dhe bukurinë natyrore të Shqipërisë.

Gazetare: B.Pëllumbi 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›