Precedenti “Ymeri”/ Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë: Të shpallen nul provat e nxjerra nga telefoni i Berberit

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka paraqitur një rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon rrëzimin e vendimit të GJKKO për bllokimin e daljes jashtë vendit.
Siç mëson TCH, në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë, avokatët e Ballukut ka përdorur si mbrojtje rastin “Ymeri”, në çështjen e Arben Ahmetaj ku Kushtetuesja vendosi që telefoni i sekuestruar nuk mund të merrej si provë pasi nuk kishte më parë një vendim gjykate.
Telefoni në fakt i përkiste Onejda Ymerit, e cila ditën që u thirr në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit iu bllokua dhe telefoni.
Ky precedent është marrë si shembull nga mbrojtja e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, të dhënat për të cilën u përftuan nga telefoni i Ervis Berberit, që është bërë shkak për hapjen e disa fraksioneve hetimore një ndër to edhe tenderat ku Balluku ka marrë statusin e të pandehurës dhe mbahet në masën ndalim për të dalë jashtë vendit.
Momenti i dytë që ndalen avokatët e Ballukut është arsyetimi se nuk ka asnjë rrezik që Belinda Balluku të arratiset nga Shqipëria dhe ndaj duhet hequr masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Si provë sillen tre udhëtimet mbas muajit tetor 2025 kur Belinda ishte thirrur për tu pyetur nga SPAK dhe ku ju komunikua akuzë . Një ndër këto udhëtime është edhe udhëtimi në Zvicër.
Por në pritje për një vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe nga këshilli i mandateve, SPAK ka kryer sekuestro dhe këqyrje të shumta mes tyre edhe biznesmenësh të përmendur në tendera.
Ndaj Ballukut, SPAK ngriti aktakuzë më 31 tetor 2025, nën dyshimet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së tenderëve.
Balluku i ka mohuar akuzat si “hedhje balte, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, duke u shprehur se do të bashkëpunonte plotësisht me drejtësinë.
Ajo ishte pezulluar nga detyrat zyrtare dhe i ishte pamundësuar largimi nga shteti, por vendimi i SPAK-ut për pezullim u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.