Premiera “Halli hallit nuk i ngjan” çel sezonin dimëror të teatrit të Vlorës

Premiera “Halli hallit nuk i ngjan” ka hapur sezonin dimëror të Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, duke sjellë në skenë një kombinim të humorit, muzikës dhe vallëzimit. Shfaqja vjen nën regjinë e Afrim Agalliut, Mjeshtër i Madh, ndërsa libreti është një bashkëpunim mes Haxhi Ramës, Afrim Agalliut dhe Genc Demirajt.
Me tematikë aktuale, shfaqja përcolli mesazhe të forta sociale, të ndërthurura me satirë dhe ironi.
“Sot pash në skenë katër breza dhe jam i lumtur”, u shpreh Artur Dhamo, Drejtor i Teatrit “Petro Marko.
“Na kishte marrë malli për publikun tonë të dashur dhe jam ndjerë shumë i lumtur sot. Është një buqetë e bukur edhe për publikun”, tha aktori Agron Hamo.
“Kam 60 vite në këtë skenë pa u shkëputur e natyrisht kur shikoj nxënësit e mi të “fluturojnë” lartë jam e lumtur”, u shpreh aktorja Lavdie Bisha.
Element surprize solli prestigjatori Edmond Murraj, me numra shpejtësie, duke pasuruar më tej shfaqjen.
Premiera “Halli hallit nuk i ngjan”, me regji të Afrim Agalliut, skenografi të Drini Shehut dhe drejtim muzikor nga Artur Dhamo, do të vijojë të shfaqet edhe gjatë fundjavës në Teatrin e Vlorës.
/rtsh.al/