E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Françesko Franxhali.

18 shkurt 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Françesko Franxhali.

Presidenti Topi bëri një përshkrim të hollësishëm të zhvillimit të turizmit si një nga sektorët prioritarë të vendit tonë, në drejtim të promovimit, rritjes së investimeve dhe thithjen e turistëve e investitorëve. Duke patur parasysh potencialet e mëdha të Shqipërisë me natyrën, bregdetin dhe zonat malore ende të paeksploruara, Presidenti Topi theksoi edhe nevojën e një planifikimi të qartë e të detajuar të zhvillimit turistik dhe në veçanti të agroturizmit në harmoni me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OBT-së, z. Franxhali pasi falenderoi për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit, theksoi përvojën dhe rolin e organizatës që ai drejton në rritjen, zhvillimin dhe promovimin e turizmit në vende të ndryshme të botës, duke vënë në dukje edhe mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria në këtë fushë, sidomos në agroturizëm. Z. Franxhali shprehu gatishmërinë e plotë për të ndarë përvojën pozitive dhe për të dhënë të gjithë ndihmesën e duhur, që përfshin edhe mbajtjen në Shqipëri të një konference të ardhme për zhvillimin dhe promovimin e turizmit.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›