E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadorin e ri të Finlandës në vendin tonë, Erki Huitinen.

27 shkurt 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Finlandës në vendin tonë, Erki Huitinen, i cili i paraqiti Letrat Kredenciale.

Kreu i shtetit, pasi e uroi për mirëseardhjen, i uroi z. Huitinen suksese në misionin e tij.

Në takim u nënvizua niveli shumë i mirë të marrëdhënieve dypalëshe që karakterizon dy vendet tona dhe u shpreh besimi për thellimin e mëtejshëm të tyre.

Presidenti Topi, pasi vuri në dukje angazhimin e shtetit shqiptar për forcimin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, i kërkoi z. Huitinen t’i përcillte Presidentes së Finlandës, znj. Tarja Halonen përshëndetjet më të përzemërta dhe shprehu dëshirën për një vizitë të saj në Shqipëri.

Gjithashtu, Presidenti Topi shprehu falenderimin e tij për ratifikimin e MSA-së nga parlamenti finlandez më 29 Nëntor 2007. Në këtë kuadër, Kreu i shtetit vlerësoi eksperiencën dhe mbështetjen e Finlandës në rrugën e procesit integrues të Shqipërisë në BE, kryesisht mbi përvojën finlandeze në fushën e bashkëpunimit rajonal.

Duke qenë se në 2008-ën Finlanda mori Presidencën e radhës së OSBE-së, Presidenti Topi shprehu vlerësimin për marrjen e Kryesisë nga Finlanda, një vend që diplomacia e të cilit është e ndërthurur ngushtë me historinë e OSBE-së.

Gjithashtu, në takim u shpreh besimi nga të dyja palët për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme, duke konsideruar me interes hyrjen e investimeve finlandeze, sidomos në fushën e industrisë elektronike dhe teknologjisë së informimit.

Duke vënë në dukje qëndrimin e shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës, Presidenti Topi falenderoi Finlandën për qëndrimin e mbajtur në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe rolin e ish-presidentit Ahtisari.

Ambasadori Huitinen, pasi shprehu mirënjohjen për mikpritjen, vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, theksoi suksesin dhe përparimin e vendit tonë në drejtim të shndërrimit nga një vend i izoluar dhe nën diktaturë, në një vend demokratik, me institucione të konsoliduara dhe me një ekonomi tregu shumë tërheqëse për investitorët e huaj, dhe në veçanti për ata finlandezë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›