E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Delegacionin e kryesuar nga Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni.

26 shkurt 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Delegacionin e kryesuar nga Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni.

Kreu i shtetit pasi u uroi mirëseardhjen miqve nga Italia, vuri në pah lidhjet e ngushta historike dhe shoqërore dhe marrëdhëniet shumë të mira tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë, ku edhe kjo vizitë kontribuon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të tyre, dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhënë Shqipërisë përgjatë viteve.

Presidenti Topi përshkroi përpjekjet e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve dhe parametrave integrues, reformat dhe transformin e thellë demokratik të vendit tonë me synim anëtarësimin e shpejtë në NATO gjatë Samitit të ardhshëm të Bukureshtit dhe më pas, edhe në Bashkimin Europian.

Presidenti Topi gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes dy vendeve tona në të gjitha fushat: në kulturë, arsim, ekonomi, tregti, turizëm dhe ndarjen e përvojës, ku veçoi atë në fushën e decentralizimit, duke vënë në dukje faktin se vendi ynë ofron të gjitha kushtet dhe garancitë e duhura për investitorët e huaj, sidomos në fushën e turizmit ku ka nevojë për projekte konkrete.

Kreu i shtetit theksoi se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një realiteti të ri, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë projektuar të ardhmen e tyre të përbashkët në familjen e madhe euroatlantike.

Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni pasi falenderoi për mikpritjen, vuri në pah miqësinë e fortë dhe tradicionale me dy popujve tanë, dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për përmbushjen e ëndrrës integruese të Shqipërisë në familjen europiane dhe strukturat euroatlantike. I nderuari Formigoni vlerësoi lart vizionin e Presidentit Topi dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, duke theksuar se vendi ynë, që gëzon një demokraci me institucione të konsoliduara, me një ekonomi në zhvillim, një imazh ndërkombëtar gjithnjë në rritje, me një popullsi relativisht të re, ofron mundësi të jashtëzakonshme për investitorët e huaj, sidomos për sipërmarrësit italianë, duke siguruar për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe ndarjen e përvojës pozitive.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Saba D’Elia dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Spartak Topallaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›