E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti kreun e ri të Misionit PAMECA 3 në vendin tonë, Majkëll Kolbërn.

8 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë kreun e ri të Misionit PAMECA 3 në vendin tonë, Majkëll Kolbërn, i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Frejzër Uilson.

Kreu i shtetit pasi i uroi z. Kolbërn mirëseardhjen në vendin tonë dhe suksese në krye të misionit të asistencës policore, vlerësoi punën e madhe dhe ndihmesën e vyer të Misionit PAMECA për reformimin e strukturave të rendit shqiptare, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe ngritjen e nivelit profesional.

Presidenti Topi theksoi se pas marrjes së ftesës për në NATO dhe përparimit të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, strukturat e rendit, të Prokurorisë e të drejtësisë në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme në vendin tonë kanë nevojë dhe mund të përfitojnë shumë nga bashkëpunimi i frutshëm dhe përvoja e misioneve të tilla ndihmëse si PAMECA dhe EURALIUS duke mundësuar konsolidimin e shtetit ligjor dhe rritjen e sigurisë e lëvizjen e lirë të njerëzve.

Kreu i ri i Misionit PAMECA 3, Kolbërn pasi falenderoi Presidentin Topi për urimet dhe mbështetjen e vazhdueshme, e siguroi Kreun e shtetit se së bashku me ekipin që ai drejton, do të punojë pa u kursyer në drejtim të rritjes së cilësisë profesionale të strukturave të rendit të Shqipërisë, perfeksionimit të kuadrit ligjor dhe bashkëpunimit transparent, profesional dhe efektiv me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në kuadër të përmbushjes edhe të standardeve të kërkuara integruese.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm dhe i Pushtetit Vendor, Bujar Nishani.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›