E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme të Shtetit të Izraelit, Cipi Livni.

14 maj 2008

Presidenti i Republikës, në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Izrael u takua me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme të Shtetit të Izraelit, Cipi Livni.

Presidenti Topi pasi shprehu mirënjohjen për ftesën e Presidentit Peres për të marrë pjesë në festimin e 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit dhe Konferencën Presidenciale 2008 me udhëheqës nga mbarë bota për të shprehur vizionin e tyre mbi të ardhmen, vlerësoi marrëdhëniet shumë të të mira tradicionale dhe historike mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimin e frutshëm. "Këto marrëdhënie janë tepër të mira jo vetëm në planin politik, por bashkëpunimi mes dy vendeve tona duhet të forcohet edhe institucionalisht, duhet të rritet edhe mes institucioneve akademike, universiteteve." - u shpreh Kreu i shtetit.

Presidenti Topi theksoi lidhjet e vecanta shpirtërore të vendosura para dhe gjatë aktit fisnik të shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë në Shqipëri nga Holokausti duke i quajtur këto marrëdhnie një themel të shëndoshë për zhvillimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat, sidomos përsa i përket rritjes së investitorëve izraelitë në sektorin e ndërtimit, në atë energjetik, akuakulturë, bujqësi dhe vecanërisht në fushën e turizmit.
Lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave do të lehtësohet edhe më tej pas heqjes së regjimit të vizave mes dy vendeve, të cilin Presidenti Topi e vlerësoi si një hap shumë pozitiv dhe frutdhënës në këtë drejtim.

Kreu i shtetit vuri në pah edhe rëndësinë e hapjes së ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë, duke theksuar vendin dhe rolin e rëndësishëm që luan Shqipëria dhe faktori moderues shqiptar në rajon. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shtetit të ri demokratik e multietnik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni ynë ka fituar një paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe synimi e orientimi i mbarë Ballkanit duhet të jetë integrimi euro-atlantik.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme izraelite, Cipi Livnin vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira të bazuara në miqësinë tradicionale mes dy popujve, duke theksuar se "lidhjet historike dhe trimëria e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit janë pjesë e kujtesës historike të kombit hebre, i cili nuk do ta harrojë kurrë këtë".

Znj. Livnin e uroi përzemërsisht Presidentin Topi për marrjen nga Shqipëria të ftesës për në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit dhe falenderoi gjithashtu për mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur që vendi ynë i ka dhënë Shtetit të Izraelit në kuadër të organizmave ndërkombëtare, duke vënë në pah edhe rolin e moderuar e pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe po vazhdon të luajë në rajon e më gjerë në interes të paqes dhe të qëndrueshmërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›