E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Martin Erdman.

20 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot pasdite Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Martin Erdman.

Kryetari i Shteti vuri në dukje disa nga përpjekjet dhe arritjet e vendit tonë në realizimin e standardeve të kërkuara për integrimin e Shqipërisë në NATO, përmes një procesi të vazhdueshëm reformimi në ushtri, në sistemin e drejtësisë, në sistemin zgjedhor, etj. Presidenti Topi theksoi se tanimë, kur Shqipëria është më afër se kurrë aspiratës së saj për të qenë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, klasa politike dhe e gjithë shoqëria shqiptare janë të vetëdijshme se duhet të dëshmojnë edhe një herë vullnetin e përbashkët dhe angazhimin konkret për të përshkuar me sukses edhe rrugën e mbetur deri në Samitin e Bukureshtit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës shprehu besimin se në këtë Samit, Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe vuri në dukje se Institucioni i Presidentit do të vijojë të ketë një rol të dukshëm për ekuilibrimin e jetës politike dhe realizimin me sukses të reformave në vend.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi nënvizoi edhe rolin moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit. Pasi vuri në pah maturinë e admirueshme të treguar nga klasa politike, institucionet dhe populli kosovar në zgjedhjet e 17 nëntorit, Kryetari i Shtetit ritheksoi qëndrimin e shtetit shqiptar se statusi përfundimtar i Kosovës, që duhet të jetë pavarësia e saj, do të gjenerojë paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe më gjerë.

Edhe z. Erdman nga ana e tij vlerësoi rolin e qëndrueshëm dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit, angazhimet dhe kontributin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe shprehu mbështetjen për proceset reformuese dhe integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›