E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron gjithë shqiptarët kudo ndodhen për marrjen nga Shqipëria të ftesës së anëtarësimit në NATO.

3 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i është përgjigjur sot interesimit të medias shqiptare, menjëherë pas marrjes nga vendi ynë të ftesës për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Intervista për News 24

Gazetari: Përshëndetje zoti Topi dhe urime për marrjen e ftesës!

Presidenti Topi: Përshëndetje dhe urimet i takojnë të gjithëve sigurisht, i takojnë popullit shqiptar në radhë të parë, institucioneve, mediave. Sikur e shpreha në fjalën time të gjithë janë kontribues për këtë arritje të paimagjinueshme vite më parë për Shqipërinë.

Gazetari: Zoti Topi, çfarë do të thotë për vendin tonë marrja e ftesës dhe cila duhet të jetë sjellja këtej e tutje e politikës shqiptare?

Presidenti Topi: Besoj që me marrjen e ftesës për të qenë pjesë e Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë do të thotë që Shqipëria në mënyrë definitive shkëputet nga izolimi, nga tranzicioni dhe futet e sigurtë në rrugën e integrimit euroatlantik. Kjo është një arritje e madhe që padiskutim ka dashur mjaft punë dhe djersë nga politika, nga qeveritë, pavarësisht kush ka qenë në një kohë të caktuar në pushtet, nga intelektualët, nga media, por do të theksoja që në këtë marrje ftese ka influencuar shumë dhe suporti që kemi pasur nga vendet mike dhe në mënyrë të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht nga Presidenti Bush.

Gazetari: Çfarë ndryshon për rajonin marrja e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe e Kroacisë. Si e shikoni rajonin këtej e tutje?

Presidenti Topi: Besoj që kjo është e dukshme, ka lidhje me futjen e dy vendeve. Ne kishim shpresuar që të bënte pjesë edhe vendi i tretë i “A3”-it, sikurse është Maqedonia, por gjithësesi, ftesa për të mbetet e hapur. Rritja, apo shtrirja gjeografike e NATO-s në rajonin ballkanik e bën këtë rajon padiskutim më të sigurtë, e bën që t’i largohet pikërisht asaj retrospektive të egër historike që e ka bërë që të ndjejë të gjithë pasojat negative të luftrave ndëretnike dhe padiskutim që e bën Ballkanin jo vetëm të sigurtë, por edhe një rajon, ku besoj edhe investimet do të jenë në të ardhmen mjaft intensive.

Gazetari: Zoti Topi, në fjalën tuaj që ne e kemi ndjekur me mjaft vëmendje ju keni përmendur se Shqipëria do të mbështesë integrimin e Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, madje edhe të Serbisë në NATO, mjaft domethënës ky moment se rajoni duhet të integrohet plotësisht në Aleancë, apo jo?

Presidenti Topi: Në radhë të parë unë jam shprehur që ne do të ndihmojmë Kosovën, Republikën e Kosovës që të integrohet sa më shpejt në familjen euroatlantike dhe besoj që ritmet e integrimit për Kosovën do të jenë shumë të shpejta, por gjithashtu do të mbështesim, duke e harmonizuar rolin e institucioneve shqiptare me ato të NATO-s që edhe vendet e tjera si Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, por pse jo, edhe Serbia ka nevojë të demokratizohen dhe të futen në Aleancën e madhe për ta kthyer rajonin ballkanik në mënyrë definitive në një rajon të qetë që shikon nga e ardhmja, nga investimet, nga harmonia, nga marrëdhëniet qytetare dhe marrëdhëniet mjaft të mira edhe në kuadër bilateral.

Gazetari: Zoti Topi, keni qenë sot në një nga pallatet e ish-diktatorit rumun. Çfarë ndjetë për momentin dhe çfarë kuptuat se ka ndryshuar ky rajon dhe kjo botë kur dikur kryheshin takimet e liderëve të Traktatit të Varshavës, sot kemi pasur një samit të madhërishëm, ku edhe ne këtej e tutje do të jemi pjesë?

Presidenti Topi: Në fakt këtë pallat e vizitoj për herë të dytë. Në vizitën e parë ka qenë thjesht një impresion që të jep të kuptojë që madhështia e këtyre pallateve në kohën e diktaturës presupozon një mollë në dukje të shëndoshë, por që brenda është e kalbur. Ndërsa sot ky pallat ka marrë dimensione të reja, ky pallat është në radhë të parë vendi ku u mblodh dhe po zhvillon punimet samiti më i rëndësishëm i NATO-s, i cili jo vetëm dha mundësinë për zgjerimin, por dha mundësi për rritjen e sigurisë dhe të paqes, jo vetëm në rajonin ballkanik, por në mbarë botën. Kështu që ky pallat sot merr dimensione absolutisht të reja, njerëzit janë mjaft optimistë për të ardhmen dhe për sfidat rajonale dhe globale.

Gazetari: Zoti Topi, dua t’ju bëj një pyetje sa i përket asaj që ndodh me vendin tonë këtej e tutje dhe ka të bëjë me këtë periudhë monitorimi nga vendet e NATO-s sa i përket reformave në vendin tonë. Cili do të jetë roli juaj ndaj politikës shqiptare duke qenë se jeni mbi palët që politika shqiptare të ndërmarrë reformat e duhura?

Presidenti Topi: Padiskutim që unë do të vazhdoj intensivisht dhe shumë i përkushtuar që të luaj rolin moderator midis mazhorancës dhe opozitës. Dialogu është jetik për Shqipërinë, sidomos në këto momente, kur nevoja për thellimin e reformave është më e fortë se kurrë. Unë kam besimin, ashtu sikurse janë shprehur dhe liderët e mazhorancës dhe të opozitës, që dialogu do të vazhdojë, komunikimi nëpër tryezat politike do të vazhdojë në mënyrë që reformat, në radhë të parë ajo që mbetet shumë e rëndësishme për momentin, reforma elektorale të japë shanse të mëdha që zgjedhjet politike të vitit 2009-të, të jenë zgjedhje të lira, demokratike dhe të pakontestuara, ç’ka do të ishte një provë e padiskutueshme gjithashtu që Shqipëria më së fundi do të largohet nga historitë e kontestimit dhe manipulimit të zgjedhjeve dhe do të futet në mënyrë definitive në rrugën e integrimit dhe standardeve që ka bota e përparuar sot.

Gazetari: Zoti Topi, duke ju cilësuar një lider të një vendi të NATO-s tashmë, cili është qëndrimi juaj përsa i përket Gjeorgjisë dhe Ukrainës, dy vende që pritet të diskutohet dhe fati i tyre përsa i përket anëtarësimit në NATO?

Presidenti Topi: Kam bindjen që edhe këto vende, të cilat kanë dëshirë, kanë aspiratë që t’i bashkohen NATO-s, besoj që janë vetëm çështje të diskutimit të konjukturës politike të momentit, por jam i bindur që këto vende në një të ardhme të afërt do t’i bashkangjiten NATO-s.

* * *

Për Televizionin Publik Shqiptar, Presidenti Topi u shpreh:

Presidenti Topi: Ky është një shpërblim i asaj vuajtjeje që ka kaluar Shqipëria dhe populli shqiptar gjatë viteve të izolimit. Ky është një moment kur Shqipëria përfundimisht shkëputet nga e kaluara dhe i drejtohet me shumë siguri të ardhmes, një e ardhme e garantuar që vjen nëpërmjet pjesëmarrjes në Aleancën e madhe të paqes. Të gjithë janë të gëzuar dhe edhe nëpërmjet Televizionit Publik Shqiptar dëshiroj të përcjell urimet më të mira të gjithë shqiptarëve, kudo ata jetojnë e punojnë, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Kjo është një ditë e madhe për ne sot dhe patjetër një epokë e re dhe për brezat që do të lindin”.

Gazetarja: Zoti Topi, nisur nga zhvillimet politike, deri në anëtarësimin e plotë në NATO do të keni sërish një mision të madh për të ulur sërish së bashku partitë politike, do të vazhdoni?

Presidenti Topi: Padiskutim! Roli i Presidentit do të jetë moderator në jetën politike. Sikurse e kanë shprehur edhe përfaqësuesit politikë të pozitës edhe të opozitës, bashkëpunimi i cili dha frytet e veta edhe në funksion të marrjes së ftesës, sepse marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO është kontribut i të gjithëve, e shpreha edhe në fjalën time, është kontribut i të gjitha partive politike, i të gjitha qeverive padiskutim pas vitit 1992, i mjaft intelektualëve, i pjesëtarëve të Forcave të Armatosura dhe padiskutim reformat do të vazhdojnë, politikanët do të ulen në tryeza, sepse vetëm nëpërmjet dialogut dhe kryerjes së reformave do të hedhim një hap tjetër të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

* * *

Intervistë për Televizonin “Koha”

Gazetari: Për të komentuar diçka më shumë mbi këtë ngjarje madhore, unë kam kënaqësinë të kem Kryetarin e delegacionit shqiptar në këtë samit mjaf të rëndësishëm, Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi. Zoti President, urime për këtë ngjarje vërtet madhore!

Presidenti Topi: Faleminderit! Urimet janë për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë.

Gazetari: Zoti President, emocionet tuaja, ta fillojmë me një element mjaft njerëzor, emocionet e Kreut të Shtetit, kur vendi që ai përfaqëson bëhet anëtari më i ri i NATO-s.

Presidenti Topi: Natyrisht që kam pasur rastin të marr pjesë në mjaft evenimente politike, mjaft takime ndërkombëtare dhe ju siguroj që ky është emocioni më i fortë që ne kemi përjetuar si delegacion do të thoja. Po ju jap ndjesitë e mia personale, emocionet e pritjes në radhë të parë, pastaj edhe emocionet e shprehjes së botës së brendshme në fjalën time, që natyrisht nuk janë vetëm të miat, por kam besimin se kam përfaqësuar të gjithë shqiptarët me emocionet e tyre në këtë takim kaq të rëndësishëm. Shqipëria bëhet pjesë e kësaj familjeje të madhe të paqes, të sigurisë dhe për kjo Shqipërinë realisht është një arritje shumë e madhe.

Gazetari: Zoti President, gjatë javëve të fundit përpara këtij samiti, a keni pasur ndonjëherë, edhe kur ka pasur zhvillime mjaft dramatike, zhvillime aspak të këndshme në politikën e brendshme, duke përfshirë edhe Gërdecin, pra momente kur keni menduar që ftesa po largohet?

Presidenti Topi: Absolutisht jo! Ju po t’i riktheheni deklaratës time që unë kam bërë me rastin e një konference për shtyp për ngjarjen tragjike të Gërdecit, aty jam shprehur që natyrisht ngjarja është shumë e rëndë, por nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj ndikimi për ftesën për anëtarësim. Nuk ishte një improvizim i çastit, por ishte një bindje, sepse të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të gjithë miqtë tanë e kishin thënë dhe vazhdonin ta konsolidonin që Shqipëria do të bëhej pjesë e NATO-s. Nga kjo pikëpamje ne në asnjë moment nuk kemi pasur pikën e dyshimit që do të vinte kjo ditë.

Gazetari: Zoti President, tashmë pas këtij statusi të ri që merr vendi, cilat janë detyrimet kryesore, pasi për këto nuk flitet? Ndoshta është e drejtë të festohet, por cilat janë detyrimet thelbësore që i dalin politikës shqiptare fillimisht?

Presidenti Topi: Detyrimisht duhet të jetë thellimi i reformave, bashkëpunimi mazhorancë – opozitë, dhe kjo është shprehur qoftë nga pjesëtarët e mazhorancës, qoftë të opozitës, që detyrat e shtëpisë, sikurse jemi mësuar që t’i cilësojmë, tani shtohen, bëhen më të vështira, sepse patjetër që duhet të shkojmë me standardet që kanë të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Imediat do të jetë bashkëpunimi pozitë – opozitë për çështjet e reformës zgjedhore, në mënyrë që në zgjedhjet politike të vitit 2009-të, ne të japin një shembull, ndoshta për herë të parë në vite se tranzicioni, që tani e konsiderojmë të mbyllur me marrjen e ftesës për anëtarësim, të realizojmë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara. E kam thënë dhe vazhdoj t’i qëndroj se institucioni i zgjedhjeve është institucioni më i rëndësishëm i një shteti demokratik, i shtetit të së drejtës, sepse pastaj nga ai burojnë të gjithë pushtetet e tjera.

Gazetari: Zoti President, vërtet keni ndjesinë se klima politike në vend do të ketë atë lloj maturie që i takon këtij realiteti të ri në të cilin hyri vendi ynë pas ditës së sotme?

Presidenti Topi: Unë jam koshient që debati politik do të vazhdojë, debati politik do të jetë i pranishëm, sepse janë rregullat e botës demokratike, por jam i bindur gjithashtu që edhe bashkëpunimi në funksion të reformave të mëdha është jetik, qoftë te partitë e pozitës, qoftë edhe tek ato të opozitës, sepse relacioni në botën demokratike është i tillë: ai që është në opozitë nesër do të jetë në pushtet dhe anasjelltas.

Gazetari: Zoti President, nga vendet e “A3”-it vetëm dy prej tyre arritën të siguronin sot ftesën, Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Maqedonia jo. Opinioni juaj?

Presidenti Topi: Mua më vjen keq që Maqedonia nuk u ftua sot, por gjithësesi ftesa mbetet e hapur për shkak të mungesës së zgjidhjes së një momenti që vjen për çështjen e emrit të Maqedonisë. Gjithësesi, unë jam i lumtur që Shqipëria sot mori ftesën për në NATO. Të gjitha gjërat e tjera janë të hapura dhe besoj që vendet e rajonit ballkanik, hap pas hapi, të gjitha do të futen në rrugën e integrimit për ta kthyer më në fund këtë rajon që ka pasur një të kaluar tepër të vështirë historike, me luftra ndëretnike, për ta kthyer në një rajon ku të gjithë së bashku të integrohemi në familjen euroatlantike.

Gazetari: Zoti President, pas emërimit tuaj në detyrë, shpallet pavarësia e Kosovës dhe menjëherë pas saj Shqipëria bëhet vendi më i ri i NATO-s. Nuk ka besoj për një politikan të kalibrit tuaj emocione më të forta se kaq.

Presidenti Topi: Këto janë emocione që unë i ndjej në mënyrë të padiskutueshme, por do të thoja që këto janë kontribute të të gjithë brezave të politikanëve, të të gjithë intelektualëve shqiptarë, të të gjithë historisë së tyre, sepse pavarësia e Kosovës nuk erdhi në një ditë, edhe ftesa për anëtarësimin në NATO nuk erdhi për një ditë. Ky kontribut patjetër që i bashkëngjitet rolit fantastik do ta quaja dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve mike në NATO.

Gazetari: Zoti President, ju falenderojmë sinqerisht për këtë bisedë!

* * *

Intervista e Presidentit Topi dhënë për emisionin “Top Story”, nga Bukureshti.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një intervistë të drejtëpërdrejtë nga Bukureshti për emisionin “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla në Televizionin Top-Channel.

Gazetari: Zoti Topi, mirëmbrëma! Besoj një ditë e lodhshme për ju kjo sot?

Presidenti Topi: Mirëmbrëma! Kur rezultatet janë pozitive natyrisht që lodhja është e papërfillshme. Dita ka qenë shumë impenjative. Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për evenimentin, por edhe për mikpritjen që ishte tepër e veçantë. Gati në sinkron të gjithë uronin dhe në sytë e gjithësecilit shprehej një dashamirësi tepër e veçantë. Kjo ftesë që erdhi për Shqipërinë sot ka qenë një ftesë e paralajmëruar, ishte vetëm akti formal i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të madhe me NATO-n, e kësaj ftese, e cila besoj do të formalizohet për të qenë anëtare me të drejta të plota shumë shpejt, besoj brenda një viti.

Gazetari: Pra ju keni shpresë zoti President që brenda një viti ne do të arrijmë të konvergojmë legjislacionin tonë me legjislacionin dhe standardet që kërkon NATO, të kryejmë të gjitha reformat e parashikuara në një vit që nuk është një vit i lehtë, në fakt është një vit elektoral?

Presidenti Topi: Unë kam parasysh jo vetëm angazhimin tonë, kam parasysh edhe impenjimin e aleatëve tanë, e partnerëve tanë. Është një lloj “joint invention” që ne duhet ta realizojmë. Tek marrëdhënie të tilla padyshim që përpara nesh dalin impenjime dhe detyrime të cilat duhet të realizohen, sepse rriten kërkesat, rriten detyrimet, rritet mundësia për të qenë me indekse të larta të kredibilitetit. Kam rastin që meqënëse atje është dhe zoti Rama që po merr pjesë në këtë emision, t’i them që unë kam folur sot edhe në emër të opozitës, kam vlerësuar të gjitha arritjet, sepse ftesa për anëtarësim nuk erdhi në një ditë. Kam vlerësuar punën e të gjithë politikës, të shoqërisë civile, të strukturave të Forcave të Armatosura, të medias dhe besoj që është një proces evolutiv që ka angazhuar të gjitha qeveritë, duke filluar nga viti 1992. Kjo është një arritje e të gjithëve, e të gjithë shqiptarëve dhe natyrshëm për këtë eveniment gëzohen të gjithë shqiptarët.

Gazetari: E kishit menduar zoti Topi që do të ishit President në një ditë të tillë historike?

Presidenti Topi: Natyrisht që njeriu nuk mund të bëjë parashikime të tilla, sepse eksperienca e jetës kërkon që t’i kalosh etapat hap pas hapi. Jo të gjitha gjërat varen nga ty, gjithsesi kjo që erdhi sot ishte një diçka e parashikueshme, sepse dinamika e të gjitha lëvizjeve të politikës dhe të jetës në Shqipëri ka qenë e tillë që është orientuar që në fillim nga perëndimi dhe nga Aleanca e madhe e paqes dhe e sigurisë sikurse është NATO. Jo rastësisht në momentet e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, në vitin 90-91 të gjitha prononcimet e pjesës që bënte opozitën ishin pikërisht në sensin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe gradualisht vit pas viti erdhi në atë tregues që është i admirueshëm për të gjitha vendet, ku jo vetëm politika, spektri politik shqiptar që ka qenë në unison, por edhe shoqëria shqiptare në tregues te lartë në 94-95% ka dëshmuar që përkrahin dhe admirojnë futjen e Shqipërisë në NATO.

Gazetari: Zoti Topi, ju jeni gjithashtu Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Natyrisht që anëtarësimi në NATO është meritë edhe e Forcave të Armatosura, e reformimit të tyre. Fakti që ato sot marrin pjesë në misione paqeruajtëse, pra vendi ynë nga paqe kërkues është kthyer në paqe prodhues le të themi, sot ata valëvitin flamurin shqiptar në misione të tilla të rëndësishme si koalicioni antiterror në irak, apo në Afganistan, apo qoftë edhe në misione të tjera paqeruajtëse si në Gjeorgji, apo në Bosnje-Hercegovinë. Gjithashtu duhet thënë që para këtij samiti kaluam një tragjedi të vërtetë, kaluam një ngjarje të rëndë, e cila për koiçidencë, apo jo përfshiu edhe Forcat e Armatosura.

Presidenti Topi: Në fjalën time sot kisha një vend të veçantë për Forcat e Armatosura, detyrimin që kemi pasur dhe do të kemi për reformimin në vazhdim të strukturës dhe të teknologjisë në Forcat e Armatosura. Kam rastin sonte këtu që të përcjell një përshëndetje dhe një vlerësim të veçantë për Forcat tona të Armatosura, të cilat kanë operuar me shumë përkushtim dhe profesionalizëm gjatë gjithë procesit të reformimit dhe të atyre detyrimeve që ne kemi pasur për t’iu përafruar legjislacionit dhe strukturave që ka NATO. Ne kemi disa misione që janë në vazhdim, kemi misionin në Irak, kemi pasur misionin në Bosnje, kemi misionin në Kabul, në Afganistan. Sot pasdite unë kam marrë pjesë në një seancë të veçantë për Afganistanin, ishin të gjithë krerët e shteteve.

Gazetari: Në fakt ishte një debat i madh mes vendeve të Aleancës për proporcionin e pjesëmarrjes së disa vendeve që ankohen se kanë çuar më shumë… Do të marrë një angazhim të ri Shqipëria?

Presidenti Topi: Në fakt sot në të gjitha fjalimet e autoriteteve të shteteve të NATO-s kishte një shqetësim që të nxjerrin sa më shpejt Afganistanin nga kjo situatë. Në fakt u konstatua që është bërë progres, në seancë merrte pjesë dhe vetë Presidenti i Afganistanit, Karzai, tek i cili u kërkua që përveç ndihmës që do të vijë nga vendet e NATO-s, duhet që gradualisht shteti afgan, strukturat të kalojnë gradualisht në autosufiçensë. Ai mori përsipër që e gjithë siguria në Kabul do të merret përsipër nga forcat e sigurisë afgane dhe besoj që nuk është thjesht çështja që po flitet thjesht për Kabulin dhe Afganistanin, por ju e dini fare mirë që aty është fokusuar prej vitesh edhe lënda aktive e terrorizmit ndërkombëtar. Besoj që me gjithë atë interes që pati, me të gjithë atë mbështetje që zoti Karzai mori drejtëpërdrejtë, mendoj që impenjimi do të jetë i jashtëzakonshëm, që kjo betejë do të fitohet në mënyrë definitive me terrorizmin dhe padyshim e gjithë atmosfera globale të jetë e qetë me siguri, të ndërtojë paqen dhe marrëdhënie të cilat janë shumë të rëndësishme në shekullin e XXI.

Gazetari: A do të çojë Shqipëria trupa të tjera në Afganistan?

Presidenti Topi: Ne do të shtojmë trupat, do të jemi me dy misione në kuadër të një misioni specifik që është për ndihmën dhe asistencën përsa i përket sigurisë. Ky lançim nuk është bërë vetëm sot, por ka qenë në kuadrin e përgatitjes së këtij samiti. Besoj që pjesëmarrja dhe vazhdimi i pjesëmarrjes është shumë e rëndësishme të thuhet do të jetë derisa Aleanca të vendosë që të tërheqë trupat e veta. Pra, Shqipëria do të jetë në sinkron dhe e gatshme të përfaqësohet me trupa derisa të ketë nevojë Aleanca.

Gazetari: Zoti President, fakti që Shqipëria si atdheu mëmë i shqiptarëve, do të bëhet shpejt dhe anëtar me të drejta të plota në NATO, çfarë ndryshon kjo në sferën gjeopolitike të Ballkanit, aq më tepër kur vende të tilla si Maqedonia nuk e morën ftesën dhe, siç tha dhe Kryeministri në një intervistë dhënë agjensive të huaja, mund të pjellë destabilitet sërish në Ballkan.

Presidenti Topi: Mendoj që ky moment që lidhet me mosmarrjen e ftesës nga ana e Maqedonisë, nuk është një moment i këndshëm, sepse të tri vendet, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia u nisën me një start, me Kartën e Adriatikut, dhe interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, madje do të thoja që deri në momentin e fundit ekzistonin shpresat që të tri vendet të futeshin në bllok. Në fakt nuk ka pasur shkaqe që lidheshin me çështjen e reformave në Maqedoni, por në mënyrë të dukshme në plan të parë doli çështja e emrit të Maqedonisë. Duket që është një çështje e karakterit formal, por që gjithësesi është mjaft e rëndësishme për të dy vendet që janë futur në këtë lloj konflikti ta quajmë. Besoj që samiti duke e lënë ftesën të hapur për Maqedoninë, i jep atyre shanse që pa qenë të detyruar që të mblidhet në seancë plenare samiti, në çdo moment, pas arritjes së ndonjë marrëveshjeje, marrëveshje e cila mund të vijë edhe në muajt në vazhdim, besoj që Maqedonia në mënyrë automatike pastaj merr ftesën për anëtarësim. Gjithsesi kjo është një çështje ekskluzive e dy vendeve, të cilat kanë si mediator Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përsa i përket situatës gjeopolitike në rajon unë besoj që marrja e ftesës nga Kroacia dhe Shqipëria rrit ndjeshëm sigurinë në rajon, rrit të gjithë angazhimin e Shqipërisë që të intensifikojë më shumë rolin moderator në rajon, dhe do të na duhet, dhe këtë do ta bëjmë me shumë motivacion që të jemi pse jo edhe interlokutorë, pse jo edhe në situatën jo fort të këndshme në marrëdhëniet midis fqinjëve, sepse deri tani ç’është e vërteta është vlerësuar shumë roli moderator i të gjithë politikës shqiptare në rajon, gjë që kishte bënte jo vetëm me NATO-n, por edhe me çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Gazetari: Zoti President, po flasim për rolin e interlokutorit, ju në fakt e keni luajtur rolin e interlokutorit për të unifikuar faktorin shqiptar në Maqedoni. Në fakt ky faktor shqiptar sot ka kërkuar thuajse njëzëri dorëheqjen e Kryeministrit dhe zgjedhje të reja. Cili është komenti juaj për këtë dhe sa mund të ndikojë kjo kërkesë e faktorit politik shqiptar atje për destabilizimin e një ekuilibri do të thoja delikat të shtetit maqedonas?

Presidenti Topi: Unë do të them këtu që faktori shqiptar, faktori politik, por edhe faktori i shoqërisë shqiptare në Maqedoni ka qenë në këndvështrimin tim vazhdimisht konstruktiv, madje do të thoja që në mjaft raste janë treguar me një mentalitet shumë më perëndimor, sesa liderat maqedonas, ç’ka do të thotë që kanë qenë gjithmonë të prirur që të jenë të motivuar, që të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit në funksion të stabilitetit të Maqedonisë. Përsa i përket betejës politike atje, është një çështje që i takon këtyre partive, nëse këto e kanë sinkronizuar pozicionin e tyre. Ky është një informacion që unë po e marr tani edhe për shkak të impenjimeve shumë intensive gjatë ditës, pra është një çështje që ndoshta do të bëjë të mundur që ca gjëra të mos qëndrojnë “stand by”, por të marrin një pozicion aktiv, gjithmonë me synimin që Maqedonia, sikurse është futur në rrugën e Bashkimit Evropian, të jetë pjesë e NATO-s, sepse qënia në NATO e Maqedonisë, një vend me mjaft probleme, sigurisht që do i jepte qetësi të gjithë rajonit dhe do t’i jepte një lloj komoditeti të gjithë Aleancës, në mënyrë që e ardhmja e vendeve ballkanike të jetë e tillë që në momentin që fitojnë sigurinë, të mendojnë për prosperitetin ekonomik, për marrëdhënie normale midis vendeve. Besoj, t’i kthehemi vlerësimeve të fuqishme, jam i bindur që marrja e sigurisë në rajon do të kthejë fuqishëm investimet për biznesin, i cili kuptohet shkon aty ku ka siguri.

Gazetari:Ndërkohë në Greqi njoftimet më të fundit flasin për festime masive. Opinioni publik dhe klasa politike që ka përkrahur dhe ka përshëndetur vendimin e qeverisë së Karamanlis për të mos dhënë konsensus për Maqedoninë. Por unë doja t’ju pyesja për diçka tjetër, shumë shpejt sikurse ju thatë kjo marrëveshje, kjo deklaratë e 26 vendeve do të pritet të ratifikohet individualisht edhe nga Greqia. Por ndërkohë ne me Greqin vazhdojmë të kemi, megjithëse formalisht një gjendje lufte pezull mes nesh. Si do të zgjidhet kjo kontradiktë zoti President? Si ne do të bëhemi pjesë e një pakti më shumë se vëllazëror dhe mbrojtjeje me Greqinë, kur ndërkohë jemi në gjendje lufte me ta, të paktën formalisht? A është diskutuar kjo?

Presidenti Topi: Gjatë ditës së sotme unë kam takuar Kryeministrin Karamanlis dhe Ministren e Jashtme, zonjën Bakojanis dhe kam marrë urime të sinqerta, përgëzime për marrjen e ftesës, ç’ka do të thotë që në shtratin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, gjë që ne e kemi konstatuar edhe në vizitat reciproke, por edhe në vizitën time zyrtare në Greqi, u konfirmua një suport i fuqishëm i Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Nga pikëpamja ligjore dhe formale do të thotë që në momentin që ti pranohesh të jesh në NATO bie edhe aspekti formal i ligjit që ka të bëjë me gjendjen e luftës. Kjo është prononcuar nga të gjitha autoritetet greke dhe ka mbetur si një çështje e vdekur që përfundimisht do të dalë nga ligji në momentin që edhe Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s.

Gazetari: Zoti President, njerëzit do të duan të dinë dhe me siguri po pyesin, se çfarë do të përfitojë realisht dhe konkretisht Shqipëria nga anëtarësimi në NATO, përveç natyrisht faktorit të sigurisë dhe atij gjeopolitik?

Presidenti Topi: Mund të bëjmë një analizë disi të gjatë për të vlerësuar se çfarë do të përfitojmë. Përfitimi i parë është pjesëmarrja në Aleancën më të madhe të paqes dhe të sigurisë, ç’ka do të thotë që ne nuk jemi vetëm miq tani, por ne jemi edhe aleatë. Ju e dini se çfarë presupozon ligji dhe rregulli i Aleancës. Pra, në çdo moment ti je i sigurtë njëlloj si shtetet më të fuqishme të Aleancës, pra kujdesi do të jetë maksimal. Meqënëse se jemi në kohë paqeje dhe nuk e mendojmë më luftën, ne duam të ndërtojmë paqen, që ka shumë dimensione Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe një nga dimensionet më të rëndësishme është dimensioni civil, që ka të bëjë me një ndihmë të kualifikuar, me përgatitjen e kuadrove dhe të gjithë Forcave të Armatosura për të administruar çështjet që lidhen edhe me ato që ne i konsiderojmë çështje akute, siç është çështja e depove, e municioneve, në mënyrë që gjithçka të bëhet me asistencë të kualifikuar, të bëhet me ndihmë financiare dhe Shqipëria më së fundi të dalë nga ajo situatë që për hir të së vërtetës është problematike me stoqet që kemi nga koha e diktaturës. Një element tjetër është fitimi i sigurisë, që unë sapo e përmenda, që mund ta trajtojmë nga pikëpamja gjeopolitike, por mund ta konsiderojmë edhe nga pikëpamja e sigurisë që merr biznesi, qoftë ai shqiptar, qoftë ai që vjen për të investuar në Shqipëri. Pastaj janë çështje që lidhen edhe me mënyrën e përfaqësimit të institucioneve shqiptare, fitohet tjetër rëndësi, por pse jo edhe në sensin psikologjik shqiptarët ndihen më krenarë dhe besoj më serbes, të themi një term që e përdorim natyrshim në Shqipëri, pra të ndihet i barabartë. Kjo u konstatua dukshëm që sot në seancën e pasdites, kur ne ishim në tryezën e rrumbullakët dhe morëm pjesë në mënyrë aktive në debatin e pasdites.

Gazetari: Meqë jemi tek përfitimet, shumë prej nesh mendojnë që pikërisht ne i futemi këtij procesi integrues në strukturat euroatlantike kjo do të eci paralel edhe me integrimin në Bashkimin Evropian, pasi shumë nga reformat e kërkuara nga NATO janë pothuajse të njëjta dhe konvergojnë me reformat për integrimin në Bashkimin Evropian. Megjithatë dikush mund të përmendi rastin e Turqisë që është vend prej shumë vitesh anëtar i NATO-s, por ka vështirësi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. E bëra këtë pyetje, sepse më ngacmuat me atë që thatë për efektin psikologjik që kjo do të ketë jo vetëm tek shqiptarët, por edhe tek të tjerët se si i shikojnë shqiptarët?

Presidenti Topi: Besoj që efekti psikologjik në çdo lloj rrethane, sidomos në situata të tilla është i pranishëm. Pra efekti psikologjik është qoftë për mirë, qoftë për keq, por në rastin konkret është vetëm për mirë. Unë mendoj që procesi i anëtarësimit në NATO dhe ai i integrimit në Bashkimin Evropian mund të konsiderohen si dy procese sinergjiste që ndihmojnë njëra – tjetrën. Reformat që janë bërë dhe që do të bëhen në funksion të detyrimeve për NATO-n, në mjaft elementë janë edhe reforma që bëhen në funksion të integrimit. Pra janë çështje të standardeve politike, të reformimit të ligjeve, besoj edhe të standardeve administrative. Unë jam i mendimit që kjo kohë do të përshpejtojë ritmet e integrimit në BE. Natyrisht që në këtë proces është e nevojshme që të konvergojnë të gjithë faktorët, e kam fjalën në radhë të parë për faktorët politikë, për pozitën, për opozitën që besoj se përtej debatit politik, i cili është i natyrshëm në një shoqëri demokratike, do të dinë të perceptojnë zgjidhjet që do të jenë zgjidhje jo vetëm afatshkurtra, por edhe afatmesme dhe afatgjata dhe pastaj në kushtet e rotacionit politik gjithsecili ka shansin që të demonstrojë forcën politike në zgjedhjet politike dhe të administrojë edhe vullnetin e njerëzve që do i votojnë. Mendoj që elementi më i rëndësishëm që shtrohet para politikës shqiptare, është vullneti i shprehur nga të gjitha forcat politike për t’i vazhduar këto reforma qoftë në sistemin e drejtësisë, dhe kam rastin për të përshëndetur aprovimin e ligjit për gjyqësorin. Por nuk duhet të mbesim vetëm aty se ka mjaft elementë të tjerë, është ligji për reformën zgjedhore. Vetëm pas një viti në Shqipëri do të ketë zgjedhje të përgjithshme politike, institucioni i zgjedhjeve konsiderohet institucioni bazë i demokracisë, sepse nga ai derivojnë pastaj të gjithë pushtetet e tjera. Nëse ne do të realizojmë një ligj të mirë, sipas standardeve perëndimore, në rast se do të realizojmë të gjithë dokumentacionin bazë, që është detyrim për qeverinë, pasi jemi futur në një fazë ku është premtuar dhe besoj që do të realizohet, ne duhet të realizojmë më së fundi për herë të parë në të gjithë periudhën e tranzicionit zgjedhje të lira dhe të ndershme për të pasur mundësi që të vazhdojmë të ndërtojmë institucionet dhe në mënyrë që këto zgjedhje të mos kontestohen dhe të na fusin në mënyrë definitive në rregullin bazë të demokracisë, që është rregulli i administrimit të pushtetit dhe i mundësisë së rotacionit sipas shprehjes së vullnetit politik në zgjedhjet periodike politike të përgjithshme.

Gazetari: Meqënëse u kthyem tek situata politike në vend, zoti Presidenti si e gjykoni ju aktualisht atë?

Presidenti Topi: Situata politike në Shqipëri përgjithësisht konsiderohet stabël. Natyrisht ngjarja e Gërdecit, ngjarja tragjike dhe e shëmtuar do të thoja e Gërdecit, krijoi premisa për acarim edhe të klimës politike. Unë besoj që politika shqiptare do ta vazhdojë debatin politik, por unë mendoj që në rastin konkret debati politik do të bëjë të vetin, ndërsa çështja ka kaluar për hetim në institucionin e Prokurorisë, institucion i cili sipas gjykimit tim është futur në një rrugë të mbarë, po kalon dita ditës në një situatë që ne e konsiderojmë si institucion i pavarur. Unë i kam bërë thirrje dhe kam inkurajuar institucionin e Prokurorisë që të jetë totalisht influencave politike dhe klienteliste dhe të jetë brenda parametrave profesionale.

Gazetari: A besoni që Prokuroria do t’i shkojë deri në fund këtyre hetimeve. Të paktën nga të dhënat më të fundit dhe nga reagimet e vetë zyrtarëve të Prokurorisë duket se po përmendet emri i një ish-ministri të rëndësishëm të mazhorancës, atij të Mbrojtjes. Sa duhet të besojnë njerëzit që realisht Prokuroria realisht do t’u shkojë deri në fund këtyre hetimeve dhe të nxjerri përgjegjësit e vërtetë sado larg të jenë ata?

Presidenti Topi: Unë tani nuk mund të bëhem zëdhënës i institucionit të Prokurorisë, por mund t’ju them që parametrat e përzgjedhjes së Kryeprokurores kanë qenë jashtëzakonisht rigorozë përsa i përket mospërfshirjes në politikë, mos pasjes influencë nga politika në tërë background-in e saj, profesionalizmit, parametrave, të cilat ajo i ka pasur vërtet të niveleve më të larta dhe jam i prirur tek personaliteti dhe autoriteti i saj që do të dijë të ndërtojë një institucion, ku besoj që do të japë vetëm drejtësi. Së paku nuk janë parakushtet, me aq sa njoh unë situatën, që zonja Rama dhe ajo trupë që ajo ka përzgjedhur të jenë nën një influencë politike.

Gazetari: Në fakt, politika e opozitës ka kërkuar që pikërisht ngjarja e Gërdecit dhe përgjegjësit e saj të jenë kushtet e mjaftueshme për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Presidenti Topi: Kjo është një çështje që ka të bëjë me opsionet e partive politike. Presidenti i Republikës tenton të qëndrojë jashtë këtyre debateve. Këto debate zhvillohen jo vetëm në Parlament, por zhvillohen edhe në jetën publike, edhe atë mediatike. Unë jam i prirur të jem rigorozisht në pozicionet e mia, të jem moderator në jetën politike të vendit, të jem realisht garant i ligjit dhe i Kushtetutës, po mundohem ta përmbush çdo ditë dhe çdo orë këtë mision. Jam i bindur që rezultatet po vijnë për të gjithë shoqërinë dhe institucionet në mënyrë shumë progresive. Duhet të kemi besim në institucionet e reja që ne tentojmë të ndërtojmë. Kuptohet që institucionet tona nuk kanë qenë gjithmonë në këto standarde, sepse vetë tranzicioni ka qenë i trazuar, i gjatë, por shpresoj me këto evenimente të rëndësishme rritet dhe përgjegjshmëria, rriten dhe detyrimet për standardet e përzgjedhjes së njerëzve. Besoj që kjo shikohet me shumë predispozicion nga të gjithë krahët e politikës. Ai që tenton të bëjë një jetë politike profesionale dhe afatgjatë, do të jetë i detyruar që të prononcohet vetëm për përzgjedhje të kualifikuar, përzgjedhje jo afatshkurtër për interesa politike të partive politike, por e cila do t’i garantojë Shqipërisë dhe institucioneve të saj dhe shoqërisë që Shqipëria më së fundi të dalë nga tranzicioni dhe të jetë një vend si të gjitha vendet e tjera europiane.

Gazetari: Zoti President, ju folët për nevojat shumë të rëndësishme siç është ajo e gjyqësorit dhe zgjedhore. Megjithatë, një ditë më pas kësaj dite historike siç e quajtët ju, opozita do të manifestojë në shesh dhe do të kërkojë dorëheqjen e qeverisë. E di që ju jeni President i Republikës, por jeni edhe një njeri që vini nga një karrierë e gjatë politike. Si e gjykoni këtë moment, si mund të shikohet ky në sytë e opinionit vendas edhe atij të huaj?

Presidenti Topi: Të vish nga një background politik partiak nuk do të thotë që të lëvizësh nga ato pozicionime dhe prononcime që unë sapo bëra në funksion të institucionit të Presidentit. Unë jo për shkak të këtij emisioni dhe komunikimi publik, por jam që Presidenti nuk duhet të përzihet në çështjet e debatit politik. Është në të drejtën e partive politike, qoftë të mazhorancës, qoftë të opozitës, për të ndërmarrë aksionet e tyre politike. Gjithsesi, në substancë unë kam konstatuar se edhe partitë e opozitës nuk kanë ngatërruar çështjet e perspektivës euroatlantike të Shqipërisë me çështje të debatit politik të ditës. Pra është një çështje që i takon atyre për ta përballuar në debatin politik.

Gazetari: Dy pyetje të fundi zoti President, pasi këtu jemi në të ftohtë dhe shiu ka filluar të bjerë në Bukuresht dhe ju jeni i lodhur …

Presidenti Topi: Unë e ndjej që shiu po bie, por së paku mos paragjykoni lodhjen time. Në përfundim të kësaj dite impenjative jam shumë i freskët.

Gazetari : Në rregull! Do të doja t’ju bëja një pyetje tjetër se si përkthehet kjo për Kosovën, kjo ngjarje kaq e rëndësishme për Shqipërinë?

Presidenti Topi: Në paragrafin e tretë nga fundi, unë në mënyrë shumë eksplicite kam folur për Kosovën, kam folur për Kosovën jo vetëm si një detyrim që personalitetet politike dhe institucionet shqiptare duhet ta kenë në funksion të së ardhmes së Kosovës, por kam folur me terma shumë realistë që marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO nga Shqipëria, do të ketë një influencë të drejtëpërdrejtë në të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Nëse ne na u deshën shumë vite për të ardhur këtu, ju siguroj që nga analiza që bëhet, nga prononcimet që kemi dëgjuar, nga rruga në të cilën është futur Kosova, me liderët e saj që realisht janë treguar shumë të matur, shumë të moderuar, shumë perëndimorë, kanë ditur të administrojnë çështjen e zgjedhjeve në Kosovë, të administrojnë pushtetin e dalë nga zgjedhjet, të marrin pavarësinë e Kosovës dhe mbi të gjitha të demonstrojnë që në periudhën post-pavarësi klasa politike kosovare, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri dhe gjithë të tjerët, po tregojnë një maturi të paparë përsa i përket kompozimit multietnik të Kosovës, si një shtet që të ardhmen e vet do ta shohë patjetër në familjen euroatlantike. Pra, Shqipëria dhe Kosova si dy vende të rajonit natyrisht do t’i bashkangjiten edhe vullnetit të vendeve të tjera. Unë sot jam prononcuar jo vetëm për Kosovën që është detyrim, por jam prononcuar në mënyrë të llogjikshme edhe për vende të tjera si Bosnje - Hercegovina, por edhe për vende si Serbia. Kuptohet që Serbia ka një problem të momentit, një debat politik, ku një krah e tërheq drejt perëndimit dhe një krah e tërheq në lindje, por jam i bindur që vullneti i shoqërisë serbe patjetër do të projektohet nga perëndimi, sepse ju e kuptoni që çdo ditë Serbia po demonstron që është e papërfaqësuar. Përfytyroni se ç’hapa vigane janë bërë nga Shqipëria këto vite, përfytyroni se ç’hapa retrgradë janë bërë nga Serbia. Kjo ka qenë çështje e një politike aspak të menduar dhe një politikë që patjetër ka ardhur nga mentalitete të vjetra, jo vetëm ballkanike, që i kanë fryrë gjithmonë erërave të luftrave ndëretnike. Kështu që unë mendoj që Kosova ka një të ardhme shumë të sigurtë, së bashku me Shqipërinë në familjen euroatlantike.

Gazetari: Dhe e fundit një pyetje personale zoti President. Jemi mësuar këto 17 vitet e fundit që liderat politikë në samitet e rëndësishme i drejtohen audiencës, apo panelit në gjuhë të huaj. Ndërkohë që ashtu siç ju vura re sot, e kam vënë re edhe në evenimente të tjera ndërkombëtare, edhe në intervista për median e huaj, ju drejtoheni dhe flisni shqip, ëshë një traditë e re?

Presidenti Topi: Jo, nuk është një traditë e re. Evenimente të tilla kërkojnë që Presidenti i Republikës nuk është në të njëjtin format, ose mund të mos jetë në të njëjtin format me pozicionin e Kryeministrit. Në rast se e vutë re sot, Presidenti i Shqipërisë dhe i Kroacisë folën në gjuhën e tyre, Kryeministrat folën në anglisht, pra është përzgjedhur një mënyrë për të përçuar mesazhin drejtëpërdrejtë tek bashkëqytetarët e tu, është në detyrimin e Presidentit, që në evenimente të tilla, natyrisht ka shumë raste të tjera që edhe Presidenti është i detyruar që të flasë në gjuhë të huaj në varësi të tryezave, por në evenimente të tilla, në raste të tilla, konsiderohet mjaft e rëndësishme që mesazhin e parë ta marrë populli të cilit ti i përket dhe natyrisht të gjithë tjerët kanë të gjithë aksesin për ta marrë nëpërmjet përkthimit në anglisht.

Gazetari: Zoti President, faleminderit që ishit sot në Top Story! Urime edhe një herë juve si qytetar i Shqipërisë në radhë të parë për këtë ditë të madhe dhe të jashtëzakonshme për Shqipërinë!

Presidenti Topi: Faleminderit Sokol! Në përfundim të fjalës time dëshiroj të ritheksoj se për të ardhur deri këtu, natyrisht që nuk na është dashur një ditë, një javë, një muaj, apo një vit. Është një përpjekje afatgjatë. Kjo nuk ka ardhur në mënyrë ekskluzive nga një individ, apo nga një parti, ka ardhur nga të gjithë shqiptarët, nga faktorët politikë, faktorët civilë dhe, meqënëse jemi në një studio mediatike, do të doja të theksoja rolin e pamohueshëm të medias shqiptare, e cila është rritur, sikurse është rritur edhe politika, duke bërë hapa viganë përsa i përket mënyrës dhe teknologjisë së transmetimit. Dikur ka qenë e paimagjinueshme që evenimente të tilla të transmetoheshin nga vendi i ngjarjes, sot ju e keni bërë realitet. Kështu që mua më duhet t’ju falenderoj në pozicionin që kam dhe t’ju uroj natyrisht suksese!

Gazetari: Faleminderit!

* * *

Intervistë e Presidentit Topi dhënë Televizionit ALSAT

Gazetarja: Zoti President, cilat janë ndjesitë e para tuajat menjëherë pas marrjes së ftesës?

Presidenti Topi: Gëzimi im është i natyrshëm, sikurse është i çdo shqiptari. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është rezultat i një pune mjaft të gjatë. E theksova në fjalën time që kontributi është i të gjithë politikës, intelektualëve, profesionistëve, i medias, i shoqërisë civile, çka presupozon që procesi i anëtarësimit në NATO, sikurse e thashë nuk është një proces që vjen në një ditë. Është një proces evolucioni dhe ky është thjesht momenti i kurorëzimit. Është një çast i lumtur, por edhe një çast që patjetër të jep ndjesinë e një impenjimi më të madh. Patjetër detyrimet për institucionet e shtetit shqiptar do të shtohen. Do të ndihet nevoja për të intensifikuar reformat, bashkëpunimin pozitë-opozitë, patjetër rritjen e demokratizimit të jetës së shoqërisë, pa diskutim çështjet e reformimit të sistemit të drejtësisë, pa bërë fjalë për një kuadër reformash të cilat janë kompatibël me kërkesat që ka NATO. Është moment shumë i rëndësishëm sepse është një element i shtimit të sigurisë për Shqipërinë, për vendet ballkanike në përgjithësi, ndonëse sot e morën ftesën Kroacia dhe Shqipëria, por jam i bindur që me kalimin e kohës do ta marrë dhe Maqedonia, sepse ftesa mbetet e hapur. Vetëm janë çështje të modaliteteve që kanë të bëjnë me vendosjen e emrit, që gjithsesi janë në vullnetin e klasës politike të Maqedonisë dhe të Greqisë. Por interesimi i vendeve të NATO-s është i tillë që patjetër do të shkohet në rritjen e treguesve të sigurisë rajonale, çka presupozon një rritje të investimeve të biznesit, një shkëmbim më intensiv të marrëdhënieve ekonomike dhe njerëzore. Unë besoj që marrja e ftesës për anëtarësim jep në mënyrë të qartë perspektivën e Shqipërisë. Shqipëria sot, në mënyrë jo thjesht figurative, por substanciale, ndahet nga e kaluara dhe futet në një epokë të re që është epoka e sigurisë, e standarteve, e shtetit të së drejtës, që kërkon patjetër një imepnjim jo thjesht nga klasa politike, por nga e gjithë shoqëria. Unë jam i bindur që gjërat, hap pas hapi, por me intensitet, do të shkojnë në rrjedhën e tyre.

Gazetarja: Kur prisni që të përfundojë procesi i realizimit të anëtarësimit me të drejta të plota krahas vendeve të NATO-s?

Presidenti Topi: Unë besoj që do të jetë një proces shumë i shpejtë. Ne do të japim shembuj konkretë që reformat do të vazhdojnë, që ne do të forcojmë shtetin ligjor dhe patjetër do të ketë edhe një rritje të dukshme të interesit të vendeve partnere, që, nga informacionet që kemi, këtë proces do ta realizojnë me shpejtësi.

Gazetarja: Pse e keni këtë besim? Klasa shqiptare ka treguar jo pak herë që, nuk është krejt e besueshme.

Presidenti Topi: Unë kam besim të plotë sepse kam parë mënyrën e reagimit të faktorit politik, edhe të opozitës, e cila nuk e ka kushtëzuar vazhdimin e reformave në asnjë moment tjetër. Natyrisht, opozita ka të drejtën të bëjë debatin politik, bile duhet ta bëjë shumë fort debatin politik. Por nga ana tjetër duhet të gjejmë urat e bashkëpunimit për çështje që janë substanciale për Shqipërinë. Unë besoj që e ka gjetur. Mënyra e reagimit të opozitës në çështjet e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO ka qenë mjaft pozitive. Dhe kjo është arsyeja që anëtarët e NATO-s, vendet partnere, shikojnë që politika shqiptare për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesat kombëtare, por edhe shoqëria shqiptare, në një përqindje të mahnitshme, në 94 përqind, është deklaruar në favor të anëtarësimit në NATO. Besoj që marrja e ftesës është një proces sinergjie, pra, ndihmon edhe për çështjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rritja e treguesve të sigurisë jep më shumë garanci edhe për vendet e Bashkimit Evropian, çka do jepte mundësinë që ne të na krijoheshin më shumë lehtësira edhe për regjimin e vizave, por edhe për shumë lehtësira të tjera që ne i konstatojmë dita-ditës, që është e nevojshme që t’i kemi.

Gazetarja: Kur e morët informacionin, në rrugë të themi jozyrtare, si të artikuluar që ka marrë fund çdo gjë, që ne ishim pranuar në NATO ?

Presidenti Topi: Unë e kam marrë vesh mbrëmë, në mënyrë të konfirmuar, por informacione të themi besueshmërie dhe mbi bazën e një analize racionale, ne kemi pasur qysh para se të vinim në Bukuresht. Gjithsesi, gjërat janë zyrtare në momentin e lançimit të deklaratës zyrtare. Bile, ajo u bë sot dhe ne jemi të lumtur që këtë e kemi zyrtarisht.

Gazetarja: Si u ndjetë kur emri “Albania” u shqiptua, qëmtoi në fakt, ne gazetarët e dinë të parët këtë për shkak të konferencës së shtypit të Sekretarit të Përgjithshëm Shefer?

Presidenti Topi: Mund t’ju them Valbona që kam shumë vite në politikë. Kam pasur momente shumë emocionuese. Bile mund t’ju them që ndjeva emocion më shumë se sa në momentin e marrjes së rezultatit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Çka do të thotë që gjërat nuk duhet të trajtohen në planin egoistik, pra, duhen parë shumë më gjatë e shumë më gjerë, sepse kemi parasysh dëshirat e prindërve tanë, të njerëzve tanë, të kategorive të ndryshme shoqërore dhe të atyre njerëzve që kanë ikur nga kjo jetë, duke mos e gëzuar pikërisht këtë moment kaq të rëndësishëm, ku Shqipëria nga një vend i pakonsideruar, një vend i izoluar, kthehet të bëhët partner i vendeve më të rëndësishme ku do të ketë patjetër edhe përfitimet e veta.

Gazetarja: Jashtë modestisë, u ndjetë mirë që qëlloi në Presidencën tuaj ky lajm?

Presidenti Topi: Më vjen shumë mirë, absolutisht. Kush nuk do ta kërkonte një ftesë të tillë, ku brenda një muaji e gjysëm s’e kemi pasur mundësinë që të provojmë shijen e mrekullueshme të pavarësisë së Kosovës, dhe pas një muaji e gjysëm, provojmë të marrim ftesën e anëtarësimit në NATO.

Gazetarja: Po lirimi i sotëm i Ramush Haradinajt nga Haga?

Presidenti Topi: Ky është lajm që ju po ma jepni e para, sepse unë kam qenë shumë i imepnjuar. Më vjen mirë. Ky është vendimi zyrtar i Gjykatës? Më vjen mirë që e mora dhe këtë lajm, që padyshim do të kontribuojë në shumë elementë pozitivë që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të rajonit tonë ballkanik.

Gazetarja: ǒmendim keni për Maqedoninë që nuk mori pjesë?Të paktën ALSAT ka tre ditë që transmeton që Maqedonia është më shumë jashtë se sa brenda.

Presidenti Topi: Natyrisht që ndjeva keqardhje, sepse Karta e Adriatikut ka filluar këtë inisiativë kohë më parë. Ne kemi qenë të interesuar që të futeshim në bllok. Por janë gjëra që nuk besoj se kanë lidhje me predispozicionin e institucioneve në Maqedoni për reforma, por lidhet tek një moment emblematik, që gjithsesi unë preferoj të mos e komentoj, sepse është çështje ekskluzive e palës maqedonase.

Gazetarja: Mendoni që do ndikojë në marrëdhëniet tona, Shqipëria mes Maqedonisë dhe Greqisë, si partner strategjik gjeo-politik?

Presidenti Topi: Gjithmonë do vazhdojmë të luajmë një rol moderator në rajon. Asgjë nuk lëviz në politikën e jashtme të Shqipërisë. Ne kemi marrë nota shumë pozitive për rolin që kemi luajtur. Do të vazhdojmë ta kryejmë më me intensitet, në mënyrë që e ardhmja e vendeve ballkanike të jetë patjetër si pikë takimi në familjen euro-atlantike.

Gazetarja: Çfarë mesazhi keni për popullin shqiptar të Maqedonisë?

Presidenti Topi: Unë i përgëzoj për maturinë dhe për qytetarinë që kanë treguar edhe në momente të vështira të klimës politike. Kjo tregon që maturiteti i politikës shqiptare në rajon e ka bazën tek maturia e popullsisë shqiptare në rajon, që do të thotë gjithashtu që, në rast se kjo lidhje është e tillë, kaq esenciale, tregon që kjo të jep garanci që rajoni jonë ka të ardhme të sigurt.

Gazetarja: Jeni optimist që dhe Maqedonia do të ketë së shpejti ftesë në NATO?

Presidenti Topi: Unë mendoj se po, për arsye se ftesa mbetet e hapur dhe sot. Nocionet janë në një botë demokratike dhe zgjedhjet i gjejmë nëpërmjet gjuhës së bisedimeve dhe dialogut.

Gazetarja: Ju falenderoj për gjithçka që shpjeguat dhe emocionet që ndatë me ALSAT.

Presidenti Topi: Ju faleminderit dhe juve gjithashtu. Dëshiroj t’ju përgëzoj për misionin tuaj dhe për kontributin që keni dhëmë në këtë eveniment të madh.

* * *

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin “Opinion”, nga Bukureshti.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një intervistë nga Bukureshti për emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu në Televizionin Klan.

Gazetari: Të nderuar teleshikues, Presidenti i Shqipërisë, Sh.T.Z. Bamir Topi është njeriu që sot ka pasur fatin të nënshkruajë, në thonjza, pra në mënyrë figurative, aktin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut, ose marrjen e ftesës për anëtarësimine plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut. Është vetëm njëra nga hallkat padyshim e pakthyeshme që brenda një harku kohor një vit, një vit e gjysëm, Shqipëria do të anëtarësohet me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të globit, në Aleancën më të madhe ushtarake të globit, por padyshim edhe në klubin demokratik më të rëndësishëm që bota ka sot.
Zoti President, do të doja që doja të ndaja me ju disa nga emocionet e kësaj dite, padyshim një nga më të rëndësishmet që ndan dy epoka në Shqipëri, por padyshim të kisha edhe opinionin tuaj për ato që jo të gjitha janë zbuluar nga kamerat deri tani. Në fakt doja t’ju pyesja a ishit i emocionuar sot?

Presidenti Topi: Sinqerisht, Blendi kam qenë më i emocionuar se kurrë, u bënë vite që ne merremi me politikë, që marrim pjesë në takime mjaft të rëndësishme, por besoj që ky ka qenë, jo thjesht në aspektin simbolik, do të thoja në mënyrë shumë substanciale, Shqipëria sot përfundimisht lë pas periudhën e së kaluarës, lë pas periudhën e tranzicionit dhe i drejtohet me shumë siguri të ardhmes.

Gazetari: A jeni i sigurtë për këtë? Gjithmonë kemi thënë që e kemi lënë prapa tranzicionin, për një periudhë të re, por vijojmë në tranzicion.

Presidenti Topi: Ka mjaft arsye për të analizuar në këtë mënyrë këtë që po them, analiza është mjaft komplekse, të marrësh ftesën për anëtarësim nga Aleanca më e madhe e paqes dhe e sigurisë në botë, nga shtetet më të fuqishme të botës, do të thotë që i ke kaluar disa sprova shumë të fuqishme që lidhen me aspektet e reformave politike në vend, me shumë marrëdhënie të kredibilitetit me këtë lloj Aleance, të marrësh pjesë në shumë institucione të saj, siç janë Asambleja Parlamentare e NATO-s, të marrësh kontakte me të gjithë grupin e ambasadorëve të NATO-s, me kryetarët e shteteve. Mund t’ju them që ka qenë një periudhë shumë intensive. Ju e keni konstatuar dhe vetë, të gjithë aktorët kryesorë të shtetit dhe të politikës kanë qenë të angazhuar jo një një fushatë, por në një proces të natyrshëm bashkëpunimi që kërkonte dy palë, kërkonte Shqipërinë, por kërkonte edhe pjesën e Aleancës, e cila çdo ditë fitoi më shumë besim tek ne dhe praktikisht sot na dha ftesën e anëtarësimit.

Gazetari: Ju vura re sot zoti President se deri në momentin e fundit kishit një lloj shqetësimi se mos ndodhte diçka dhe ftesa nuk merrej. Nga se ju vinte ky shqetësim?

Presidenti Topi: Jo, unë personalisht nuk e kam pasur këtë shqetësim.

Gazetari: Pra keni qenë i bindur për marrjen e ftesës?

Presidenti Topi: Kam qenë i bindur, sepse kam parë një reagim të natyrshëm në dinamikë, edhe pas asaj ngjarjeje tronditëse të Gërdecit, mesazhet që erdhën ishin në mënyrë të tillë që të jepnin të kuptoje se Aleanca nuk do ta humbte besimin tek Shqipëria, por do e shikonte këtë si një episod që duhej kaluar dhe që nuk do të influenconte atë vendimmarrje, pra atë vendimmarrje gjeostrategjike që ka të bëjë me ftesën për anëtarësimin në NATO nga ana e Shqipërisë.

Gazetari: Pyetja që kam bërë vazhdimisht sot, por që ma kanë bërë dhe të tjerë është e meritonim realisht që të futeshim në NATO, apo ky ishte një benifit që na u dha?

Presidenti Topi: Ka dy momente. Momenti i parë është që Shqipëria ka bërë vërtet progres, ndërsa nga pikëpamja e mbështetjes, natyrisht që ka qenë një mbështetje e fuqishme e vendeve të NATO-s dhe në mënyrë të veçantë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të thoja që Presidenti Bush ka qenë mjaft aktiv në gjithë këtë proces.

Gazetari: Por, Presidenti Bush ka qenë mjaft aktiv dhe për anëtarësimin e Maqedonisë, por Maqedonia mbeti jashtë zoti President?

Presidenti Topi: Kjo padyshim nuk e largon vëmendjen e vendeve të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Maqedoninë, por janë disa çështje që lidhen me aspekte proceduriale, që kanë të bëjnë me mundësinë e vendosjes së vetos nga ana e Greqisë. Procesi është i hapur edhe për Maqedoninë dhe natyrisht iu është dhënë kohë që të merren vesh së bashku për çështjen e emrit.

Gazetari: A patët kontakte sot me delegacionin maqedonas?

Presidenti Topi: Kemi pasur kontakte, bile kemi komunikuar për rreth 30 minuta së bashku, përpara se të futeshim në sallë. Kuptohej që vërehej një shqetësim i natyrshëm i palës maqedonase. Gjithsesi janë çështje që analizën e vërtetë të gjërave mund ta bëjnë vetëm ata. Kjo lidhet mesa duket jo vetëm me pamundësinë për të arritur një produkt mbas dialogut, por lidhet me ndjeshmëri të brendshme të shoqërisë së tyre. Në rast se do të pyetesha si një person i jashtëm në këtë problem, do të mendoja që çështjet e anëtarësimit në NATO dhe të integrimit në Bashkimin Evropian, janë më të rëndësishme, janë me gravitet më të madh sesa çështja e vendosjes së një emri. Tek e fundit, emri ka rëndësinë e vet, ka simbolikën e vet, por në substancë vlen më shumë integrimi, sesa çështja e emrit duke mbetur peng i një mentaliteti që ne jemi mësuar ta cilësojmë si mentalitet ballkanik.

Gazetari: A mund ta radikalizojë situatën në Maqedoni mosmarrja e ftesës?

Presidenti Topi: Sigurisht që mosmarrja e ftesës ka krijuar një shqetësim të dukshëm, gjë që u vu re dhe gjatë ditës së sotme. Klasa politike maqedonase duhet, që t’i kthehet ekuilibrit për këtë çështje, ndonëse hidhërimi është i madh, por unë besoj që rruga është e hapur dhe procesi i negociatave me Greqinë duhet të arrijë në një përfundim, ku besoj që edhe faktori ndërkombëtar nuk do të jetë inaktiv, patjetër që do të përshihet nëpërmjet OKB-së dhe mekanizmave të tjerë, që gjithsesi kërkojnë që jo vetëm Maqedonia, por edhe vende të tjera të rajonit, gradualisht të futen në procesin e integrimit në Aleancën më të fuqishme të paqes dhe të sigurisë.

Gazetari: Zoti President, cilat kanë qenë pikat kryesore që gjatë takimeve informale ju keni pasur në të cilat janë mbështetur homologët tuaj, ose zyrtarë të lartë të NATO-s. ǒkanë kërkuar nga Shqipëria? Për çfarë i kanë tërhequr më shumë vëmendje Shqipërisë?

Presidenti Topi: Në mënyrë frekuente, përveç evidentimit të rolit moderator të Shqipërisë në rajon, gjë që e vlerësojnë shumë, dhe shumë aspekte të tjera që lidhen me ecurinë pozitive të Shqipërisë gjatë këtyre viteve, ata kanë theksuar nevojën, do të thoja domosdoshmërinë e intesifkimit të reformave në vend. Momenti i parë lidhej me reformën në sistemin e drejtësisë, e konsideroj një progres miratimin e ligjit për gjyqësorin, dhe natyrisht tani janë fokusuar tek ligji elektoral. Ne kemi pasur rastin që të marrim mendime nga pozita dhe opozita, të cilët janë shprehur që ne do të japim një provë të besueshmërisë për vazhdimin e reformave, që besoj do të jetë në interes të të gjithëve, në radhë të parë të partive politike. Pra, ligji për reformën elektorale është një ligj që duhet të vijojë, duhet të mbyllet, sepse zgjedhjet politike të vitit 2009 janë shumë afër dhe është në interesin e të gjithëve që të kemi një ligj elektoral të stabilizuar në mënyrë që të realizohet edhe infrastruktura zgjedhore dhe që partitë politike dhe stafet e tyre të jenë në gjendje të organizojnë punën dhe që më së fundmi të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, të denja për një vend që ka marrë ftesën për anëtarësim dhe të pakontestuara.

Gazetari: Meqë po tenton të bëhet pjesë e klubit më demokratik të botës, apo jo?

Presidenti Topi: Në mënyrë absolute. Nuk duhet konsideruar thjesht si luks, por unë mendoj që duhet të jetë detyrim në radhë të parë, njeriu ndjehet më mirë edhe psikologjikisht, ndjehet i përfaqësuar, ndjehet i konsultuar dhe në vendimmarrje kaq të rëndësishme besoj që e gjithë klasa politike shqiptare, institucionet shqiptare duhet ta ndjejnë veten më të detyruar që gjërat t’i marrin më me seriozitet, sepse kemi të bëjmë tani me standarde që i prekim me dorë.

Gazetari: Zoti President, a keni marrë sot urime nga homologët tuaj?

Presidenti Topi: Urimet kanë qenë pa fund. Me të gjithë personalitetet, qoftë ata që kanë qenë këtu të pranishëm, me të cilët jemi takuar, por në momentet e pauzës së takimeve, kam pasur rastin që të marr një urim të drejtëpërdrejtë nga Presidenti Sejdiu dhe nga personalitete të tjera, gjë që më rikthen emocionet, kur urimin e parë të zgjedhjes si President e mora nga zoti Sejdiu, më pas ishim ne që dhamë urime për pavarësinë e Kosovës, pra jemi në një stinë mjaft interesante kur duhet të japim dhe të marrim urime.

Gazetari: Brenda një muaji e gjysëm dy ngjarje madhore për shqiptarët, pavarësia e Kosovës dhe ftesa për anëtarësimin në NATO. Duket shumë i mbarë nga kjo pikëpamje ky vit.

Presidenti Topi: Unë besoj që këto dy ngjarje kanë ardhur si rezultat i akumulimit progresiv dhe pozitiv të gjërave, gjërat e mëdha nuk vinë brenda një dite. Ky është një kontribut jo vetëm i politikës dhe i spektrit politik në përgjithësi, por edhe i qeverive pas vitit 1992.

Gazetari: Por jemi vonuar 16 vjet për të marrë ftesën për në NATO zoti President, e kemi kërkuar në 1992-in, jemi në 2008-ën, ndërkohë që ka shumë vende që e kanë nisur pas nesh dhe kanë qenë ...

Presidenti Topi: Natyrisht ne kemi pasur problemet tona. Gjërat duhet të kishin ecur më shpejt, por fatmirësisht kemi ardhur në një ditë që ne e kemi marrë ftesën dhe kjo presupozon pikërisht vijën ndarëse me të kaluarën. Besoj që ky duhet të jetë një obligim dhe një koshiencë e plotë për të gjithë se tani gjërat duhet të ecin ndryshe.

Gazetari: ǒdo të thotë për shqiptarët e Kosovës anëtarësimi i Shqipërisë në NATO?

Presidenti Topi: Besoj se është ekuivalente me fitimin e statusit të pavarësisë, në kuptimin që sa më e fortë të jetë Shqipëria, aq më e fortë do të jetë mbështetja për Kosovën. Ne do t’i japim një mbështetje të fortë Kosovës në të gjitha tryezat që integrimi euroatlantik i Kosovës të bëhet me ritme shumë më të shpejta se sa nga ritmet që ka pasur Shqipëria.

Gazetari: A e keni vënë re zoti President se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës marrëdhëniet institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë më intensive se më parë?

Presidenti Topi: Ishte e pritshme, më vjen shumë mirë që konstatohet dhe e tillë është. Unë besoj që duhet të jenë shumë më funksionale dhe mbi të gjitha të jenë jo vetëm në planin institucional, por të jenë edhe në komunikimin e biznesit, sepse rajoni ynë sot mbas marrjes së ftesës nga dy vende ballkanike dhe një vend tjetër që është në potencë për ta pasur gjë që mund të ndodhë edhe në muajt që vijnë, presupozon që rajoni ynë, nga një rajon me shumë probleme të konflikteve ndëretnike, të bëhet një rajon i sigurtë. Ju e dini intuitën që ka biznesi, që shkon aty ku ka siguri për investimet e veta, ç’ka do të thotë që jo vetëm marrëdhëniet bilaterale, por edhe marrëdhëniet multilaterale në rajon do të japin mundësi shumë që biznesi të investojë në rajonin ballkanik.

Gazetari: Ju keni ndjekur një nga sean

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›