Thyente xhamat e makinave dhe grabiste sendet brenda mjeteve, në pranga 37-vjeçari në Durrës

Një person është arrestuar në Durrës, pasi akuzohen për kryejnë e disa vjedhjeve të sendeve personale duke thyer xhamat e makinave.
Gjatë operacionit të koduar “Refleksi” u arrestua 37-vjeçari V. K., në momentin që po tentonte të vidhte sende nga një automjet.
37-vjeçari qarkullonte me biçikletë në lagje të ndryshme të qytetit, ku thyente xhamat e automjeteve dhe vidhte sendet personale të drejtuesve. Më pas, ai përdorte automjetin e tij për të fshehur dhe transportuar sendet e vjedhura.
Nga provat e mbledhura dhe pamjet filmike, ka rezultuar se ky shtetas është autor i pesë vjedhjeve me thyerje, të ndodhura në lagjet nr. 6, 8 dhe 12 të qytetit të Durrësit, në automjete që i përkisnin shtetasve Xh. B., J. B., S. Q., L. K. dhe Xh. M.
Gjatë këtyre vjedhjeve janë marrë shuma parash, laptopë dhe sende të tjera personale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore edhe të disa vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga i njëjti autor.
/rtsh.al/