E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentit Topi i dorëzohet “Raporti i Përparimit të Shqipërisë 2007” nga Komisioni Europian.

6 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot pasdite shefin e Departamentit për Shqipërinë në Komisionin Europian, Dërk Leinxh dhe Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.

Z. Leinxh i dorëzoi Kryetarit të Shtetit Raportin e Përparimit të Shqipërisë për vitin 2007, të hartuar nga Komisioni Europian.

Presidenti Topi vlerësoi gjetjet dhe vëzhgimet e Raportit dhe shprehu falenderimin më të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të BE-së për Shqipërinë gjatë rrugëtimit të saj integrues – mbështetje e qartë, të cilën Kreu i shtetit e përjetoi edhe gjatë dy vizitave të tij të rëndësishme kohët e fundit në Bruksel dhe takimeve që pati me Presidentin Barrozo dhe Komisionerin e Zgjerimin Ren. Presidenti Topi pasi bëri një paraqitje të shkurtër të përpjekjeve dhe reformave të rëndësishme që po ndërmerr vendi ynë si reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, siguroi për vendosmërinë e Shqipërisë jo vetëm për të përmbushur detyrimet dhe arritur standartet e integrimit në familjen e madhe europiane, por edhe për të vazhduar luajtjen e rolit të saj moderues në rajon, duke shërbyer gjithmonë si faktor qëndrueshmërie.

Në raportin e Komisionit Europian jepen edhe vlerësime për zgjedhjen e Presidentit Topi në krye të shtetit shqiptar me një proces të mbajtur në respekt të Kushtetutës, përfundimi i suksesshëm i të cilit, i krijoi mundësinë Parlamentit shqiptar që të vazhdonte punën pa u ndërprerë nga zgjedhjet e parakohshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›