E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet drejtori i ri i Drejtorisë së Transportit, Balluku: Zyrtar profesional dhe i ndërgjegjshëm

Në ceremoninë zyrtare mori pjesë zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila vlerësoi kontributin e tij profesional dhe arritjet e sektorit të transportit gjatë viteve të fundit.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku theksoi se sektori i transportit ka pësuar një transformim të ndjeshëm, duke u bërë më efikas dhe më pranë qytetarëve.

“Ne sot ofrojmë nëntë herë më shumë shërbime sesa në vitin 2018. Janë 21 milionë kilometra të kursyera për qytetarët, falë hapjes së zyrave të reja dhe shërbimeve të decentralizuara. Kjo përkthehet në kursim të karburantit dhe kohës”,  u shpreh Balluku.

Ajo vuri në dukje se infrastruktura e trajnimit për drejtuesit e mjeteve është përmirësuar, duke e afruar Shqipërinë me standardet evropiane.

“Kemi dy poligone që janë qendra trajnimi të standardeve evropiane. Vetëm këtë vit kemi pasur 2,359 riregjistrime për ata që kanë humbur patentën, duke garantuar që në rrugë të kthehen vetëm drejtues mjetesh të disiplinuar”, tha ministrja.

Një ndër çështjet që Balluku vlerësoi si themelore është procesi i kolaudimit, i cili, sipas saj, tashmë kryhet me transparencë dhe integritet të plotë.

“Kolaudimi sot nuk kalon pa përmbushur kushtet. Është një proces i drejtë, pa nevojë të njohësh askënd, mjafton që makina të jetë në rregull. Thuajse një e treta e automjeteve refuzohen, çka tregon për standardet që dëshirojmë të kemi”,  nënvizoi Balluku.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e dixhitalizimit të shërbimeve publike.

“Sot kemi shërbime online që u japin mundësi qytetarëve të përfundojnë punët më shpejt dhe pa vonesa. Kërkohet që shërbimet të kenë gjithmonë cilësi më të lartë, ndërsa Kodi Rrugor është tashmë i përafruar me standardet e Bashkimit Europian”, shtoi ministrja.

Balluku: Bajraktari, një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe bashkëpunëtor i mirë

Duke prezantuar drejtuesin e ri të Drejtorisë së Transportit, zv/kryeministrja vlerësoi eksperiencën e tij të gjatë në sektorin e transportit publik dhe portual.

“Kreshnik Bajraktari është inxhinier mekanik, me kontribut të gjatë në transportin publik të Bashkisë së Tiranës dhe si ish-drejtues i Portit të Durrësit. Ai është një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe bashkëpunëtor i mirë”, u shpreh Balluku.

Në përmbyllje, ajo theksoi rëndësinë e punës në skuadër për të arritur rezultate të qëndrueshme:

“Ai do të jetë një drejtues mbështetës, sepse punët e mira bëhen me skuadra të mira, ku secili jep më të mirën profesionale dhe ndihmon kolegët për t’u përmirësuar,”  përfundoi zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Bajraktari: Do ta shpërblej besimin me punë dhe transparencë

Pas prezantimit, drejtori i ri i Drejtorisë së Transportit, Kreshnik Bajraktari, falënderoi ministren për besimin dhe shprehu vendosmërinë për të çuar përpara misionin e institucionit me profesionalizëm dhe përkushtim.

“Faleminderit për besimin e dhënë. Jam i vetëdijshëm për peshën e kësaj detyre. Besoj se do ia dalim ta çojmë përpara institucionin, duke ofruar shërbime cilësore, efikase dhe me transparencë të plotë”,  u shpreh Bajraktari.

Ai shtoi se puna e Drejtorisë do të udhëhiqet nga objektivat e qeverisë për modernizim dhe integrim europian.

“Kjo përputhet plotësisht me vizionin ‘Shqipëria 2030’, të orientuar drejt dixhitalizimit dhe integrimit në Bashkimin Europian. Do të punoj me përkushtim, që besimin e dhënë ta shpërblej vetëm me punë”,  theksoi drejtori i ri i Drejtorisë së Transportit, Kreshnik Bajraktari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›