E Martë, 3 Nëntor 2026

Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kërkojnë ndalimin e aksionit

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Në ditën e tretë të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kanë bllokuar urën hyrëse për në fshat.

Ata kanë kërkuar ndalimin e aksionit dhe uljen në tryezë me përfaqësues të qeverisë. Banorët e Thethit kërkojnë që aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje të shtyhet në një moment tjetër, pas sezonit turistik.

Pjesë e protestës ishte dhe deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli. Ajo kërkoi nga policia që të respektohet e drejta kushtetuese e banorëve për të protestuar. “Asnjë shtyrje! Me banorët s’keni punë, kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ata janë në truallin e tyre”, tha Bardeli.

Përplasjet mes policisë dhe banorëve kanë vijuar rreth 1 orë, teksa më tej banorët kanë hapur rrugën për në fshat.

Prej tri ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Thethin.

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë ultimatum bashkive që të lirojnë hapësirat publike të zaptuara pa leje nga bizneset.

Ky aksion po zhvillohet edhe në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë si dhe në qytete të tjera të vendit.

Aksioni i IKMT në Theth kundër ndërtimeve pa leje 1 nga 8

/gj.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›