E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Praktikë në administratë dhe institucione publike për 600 të rinj nga 21 deri në 29 vjeç

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Thirrja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës ofron mundësi konkrete për të rinjtë e moshës 21–29 vjeç që duan të hedhin hapat e parë drejt karrierës në Administratën Publike.

Aplikimet për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” dhe duan të angazhohen në praktikë pune në institucionet publike janë hapur në 27 qershor dhe përfundojnë në 10 gusht.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “janë 600 vende praktike në administratë dhe institucione publike”.

“Të rinjtë do të kryejnë një trajnim të dedikuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, ASPA, do të kenë kompensim financiar gjatë praktikës, si dhe mundësi kontrate pune 1-vjeçare për 250 praktikantë”, tha Rama.

Periudha e praktikës përfshin një periudhë 3-mujore: shtator-dhjetor 2025.

Për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës të rinjtë duhet të aplikojnë online.

Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.

Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1- vjeçare, duke u bazuar te performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion.

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›