E Diel, 1 Nëntor 2026

Problematikat në Gjirokastër, kryebashkiaku Golemi për RTSH: Tonelata inertesh zbritën nga mali drejt qytetit, nisim vlerësimin e dëmeve

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, në një intervistë për RTSH ka folur për situatën emergjente që ka shkaktuar moti i keq në qytetin e tij. Ai theksoi se një nga zonat më të prekura ka qenë lagjet kryesore të qytetit, ku reshjet e shiut, së bashku me prurjet nga Mali i Gjerë, kanë sjellë një sasi të madhe inertesh dhe gurësh drejt lagjeve të qytetit.

“Reshjet e shiut krijuam problematika edhe më të madhe për shkak se prurjet nga Mali i Gjerë sollën me vete sasi të madhe inertesh dhe gurësh drejt lagjeve të qytetit. Kemi patur momente të vështira, kemi evakuuar disa banorë. Problematikat në rrugë me pastrimin e inertesh, janë ton inertesh që po largohen duke filluar nga lagjja 18 Shtator dhe do vijojmë edhe me lagjet e tjera. Kemi patuar një bllokim në fshatin Lazarat dhe Lunxhëri, por janë zhbllokuar të gjithë fshatrat për të patur një ndërhyrjen në rrugën e fshatit Dhoskat, ku përroi ka marrë një gjatësi prej 50 metrash të kësaj rruge,” tha Golemi.

Ai po ashtu konfirmoi se janë duke u pastruar edhe bizneset dhe banesat nga uji, ndërsa pas kësaj faze, do të nisë vlerësimi i dëmeve për kompensimet që do të bëhen më vonë.

Reshjet, prefektja Hasani: Në Bashkinë Gjirokastër, dëme të mëdha në banesa dhe biznese

Edhe prefektja e Qarkut Gjirokastër, Albana Hasani, theksoi se reshjet e shiut të dendur kanë shkaktuar problematika të shumta, sidomos në Bashkinë e Gjirokastrës, ku ka pasur dëme të mëdha në banesa dhe biznese.

“Zona më e prekur ka qenë Bashkia e Gjirokastrës, ku reshjet e shiut, së bashku me prurjet e inerteve, kanë krijuar bllokime dhe dëme të konsiderueshme. Të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht për të normalizuar situatën dhe për të siguruar ndihmën e nevojshme për qytetarët,” u shpreh Hasani.

Ajo shtoi se është duke u bërë vlerësimi i banesave dhe bizneseve të dëmtuara, për të identifikuar nevojën për evakuimin e mundshëm të banorëve, sidomos në zonat ku ka pasur rrëshqitje dherash.

“Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm dhe po punojmë intensivisht në terren për të zgjidhur çdo problematikë,” tha Hasani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›