Procedura për regjistrimin e nxënësve në shkolla përmes “e-Albania”-s

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Sot kanë nisur regjistrimet online për nxënësit që do të ndjekin klasën e parë dhe të dhjetë në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar, për klasën e dhjetë në shkollë të mesme profesionale, për gjimnaz me kohë të pjesshme mbi 18 vjeç, për vitin e ri shkollor 2025-2026.
Për të aplikuar online për regjistrimin, prindi apo kujdestari ligjor duhet të identifikohen në portalin e-Albania, më pas të krijojë një aplikim të ri dhe të raportojnë me saktësi të dhënat e kërkuara lidhur me: bashkinë ku banojnë; njësinë administrative përkatëse; adresën dhe shkollën ku duan të regjistrojnë fëmijën, gjithashtu ata duhet të zgjedhin mes emrave në listën sipas ndarjeve territoriale të përcaktuara për regjistrimin e nxënësve.
Pasi plotësohet formulari me të dhënat e kërkuara dhe dërgohet, aplikimi mbërrin në institucionin arsimor ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe ky i fundit bën procedurën për trajtimin e kërkesës. Institucioni arsimor pasi shqyrton kërkesën njofton elektronikisht aplikuesin nëse aplikimi është pranuar apo refuzuar.
Nëse kërkesa për regjistrimin e fëmijës pranohet, prindi duhet të dorëzojë fizikisht në sekretarinë e shkollës Kartelën e Vaksinimit të fëmijës, jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor.
Nëse kërkesa për regjistrimin e fëmijës është refuzuar, prindi njoftohet për arsyet e refuzimit nga institucioni arsimor përkatës dhe më pas mund të riaplikojë duke kryer rregullimet përkatëse.
Regjistrimet do të zhvillohen vetëm online, përmes portalit zyrtar e-Albania, ndërsa afatet e
regjistrimit sipas niveleve arsimore janë:
– Klasa e parë
07 korrik – 31 gusht 2025
– Klasa e dhjetë në shkollë të mesme profesionale
07 korrik – 30 shtator 2025
– Gjimnaz ose shkollë e mesme e orientuar
07 korrik – 31 gusht 2025
– Gjimnaz me kohë të pjesshme (për individë mbi 18 vjeç)
07 korrik – 07 shtator 2025
/e.i//a.f//r.e/