Procedurë e re kontrolli për lejedrejtimin e mjeteve me motor, verifikim i historikut shëndetësor - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Pajisja ose rinovimi i lejes së drejtimit të mjeteve me motor, do të shoqërohen me procedurë të re kontrolli mjekësor.
Në Fletoren Zyrtare është botuar sot udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, që përcakton procedurat e kontrollit mjekësor, referimin për vlerësim të specializuar, si dhe administrimin dhe shkëmbimin elektronik të dokumentacionit përkatës.
Procesi do të nisë pranë mjekut të përgjithshëm ose mjekut të familjes, i cili, pas identifikimit të aplikantit dhe verifikimit të pagesës, do të shqyrtojë kartelën mjekësore, rezultatet e ekzaminimeve bazë dhe dokumentacionin tjetër shëndetësor.
Në udhëzim thuhet se një vëmendje e veçantë i kushtohet historikut të sëmundjeve, përfshirë të dhënat që lidhen me shëndetin mendor dhe përdorimin e substancave psikoaktive. Në udhëzim theksohet se “kur është e nevojshme për vlerësimin e aftësisë psikofizike, mjeku mund të kërkojë verifikim të informacionit pranë strukturave shëndetësore publike që disponojnë historik të dokumentuar trajtimi”.
Sipas udhëzimit, mungesa e të dhënave në kartelën elektronike nuk mund të konsiderohet në vetvete as provë e mungesës së një sëmundjeje dhe as provë e ekzistencës së saj. Në rastet kur informacioni nuk është i mjaftueshëm, mjeku mund të kërkojë dokumentacion shtesë nga aplikanti ose ta referojë atë për vlerësim të mëtejshëm.
Sipas procedurës së re, dokumentacioni mjekësor do të administrohet nëpërmjet sistemeve elektronike, me synim lehtësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe reduktimin e procedurave fizike për qytetarët.
Udhëzimi parashikon që përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave shëndetësore të kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
/e.i/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
