E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi i integrimit, Lamallari: Anëtarësimi në BE është një projekt sigurie dhe gjeopolitike. Vijon linjëzimi me familjen evropiane

Ministria e Punëve të Brendshme ka prezantuar hapat konkretë dhe rezultatet e arritura në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, duke theksuar se vendi po forcon luftën kundër krimit të organizuar, sigurinë kufitare dhe menaxhimin e migracionit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Besfort Lamallari u shpreh se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një projekt ekonomik e social, por edhe një projekt sigurie dhe gjeopolitik.

“Duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, padyshim që projekti evropian është edhe një projekt sigurie. Anëtarësimi në BE nuk është vetëm përfitim ekonomik dhe social për shqiptarët, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Është mirëkuptim politik se integrimi në familjen evropiane është një projekt gjeopolitik. Ne vijojmë intensivisht me përmbushjen e detyrave dhe ajo që kam kërkuar nga Policia e Shtetit dhe drejtori i ri është që ta konsiderojmë prioritet, ku çdo strukturë të jetë e angazhuar në përmbushjen e detyrave që lidhen me Kapitullin 24, duke rritur besueshmërinë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë”, tha Lamallari.

Duke folur për negociatat, ai theksoi se ato nuk kanë vetëm karakter teknik, por edhe politik, duke nënvizuar bashkëpunimin e Shqipërisë me agjencitë ligjzbatuese të BE-së.

“Jemi në proces të negociatave të karakterit më politik dhe rritjen e bashkëpunimit me vendet anëtare. Konkretisht, kemi ngritur struktura të reja në Policinë e Shtetit, si Zyra e Rikuperimit të Aseteve, që shërben si pikë kombëtare për konfiskimin e pasurive të krimit ekonomik dhe të organizuar. Kemi bërë progres në ndryshimet në Kodin Penal duke adresuar një kërkesë të BE për të përfshirë 7 direktiva që lidhen me trafikimin e armëve, mbrojtjen e të miturve, trafikimin e drogës dhe sigurinë kufitare. Këto zhvillime janë njohur dhe vlerësuar nga BE”, tha ai.

Ministri shtoi se operacionet e Policisë së Shtetit për sekuestrimin e pasurive të krimit dhe goditjen e grupeve kriminale janë reflektuar edhe në raportet e fundit të Komisionit Evropian.

“Kemi unifikuar politikat e vizave me ato të BE dhe kemi prezantuar mekanizma të rinj për lehtësimin e procedurave të marrjes së vizave. Integrimi në BE nuk është vetëm përfitim ekonomik e social për shqiptarët, por edhe një projekt gjeopolitik i sigurisë evropiane”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›