E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama me kryebashkiakët socialistë: Muzealizimi i godinave historike dhe rritja e atraksioneve turistike

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me kryetarët e bashkive të drejtuara nga Partia Socialiste, ka kërkuar angazhim për muzealizimin e godinave historike në qytetet dhe fshatrat e vjetër të vendit. Ai theksoi se shtëpitë me vlera të trashëgimisë kulturore, të pabanuara ose në rrënim, do të merren nga shteti përmes një procesi ligjor shpronësimi dhe do të kthehen në muze.

 “Në Tiranë kemi një sërë godinash që kanë hyrë në këtë proces, por ka edhe jashtë kryeqytetit. Angazhohuni, shikojini dhe përcaktojini si kandidatura për të hyrë në këtë proces. Jemi me fat që turizmin e kemi në të gjithë territorin dhe jo të kufizuar vetëm në det apo mal. Duhet të rrisim atraksionet”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull mungesën e muzeve tematikë për produktet tradicionale shqiptare.

“Ne nuk kemi një muze të rakisë, të verës shqiptare, të vajit të ullirit që ka lloj variantesh. Këto mund të zhvillohen në çdo drejtim që është me interes”, tha Rama.

Rama nënvizoi se rritja e atraksioneve kulturore dhe turistike është thelbësore për zhvillimin e territorit dhe për diversifikimin e ofertës turistike në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›