E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama porosi bashkive: Task-forcë për pastrimin e mbetjeve jashtë hapësirave urbane. Garanci sovrane dhe kredi për ndërmarrjet e vogla e të mesme

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me kryetarët socialistë të bashkive, ka vënë theksin tek problematikat e mbetjeve dhe menaxhimi i tyre gjatë sezonit turistik, sidomos në hapësirat jashtë zonave urbane.

Ai njoftoi ngritjen e një task force mes qeverisë dhe pushtetit vendor, e cila do të udhëhiqet nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Pushtetit Vendor, për të ndërtuar një plan të plotë që nis nga sensibilizimi masiv deri tek hapat konkretë për menaxhimin e mbetjeve.

“Përpunimi i mbetjeve dhe mbeturinave është një problem i theksuar gjatë sezonit turistik në hapësirat e bashkive që nuk janë në zonat urbane. Për këtë arsye, është e domosdoshme të ngrihet një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Për këtë është ngarkuar Ministri i Mjedisit dhe i Pushtetit Vendor për të ndërtuar një plan, duke filluar nga sensibilizimi masiv deri te hapat konkretë që duhen ndërmarrë”, tha Rama.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte strehimi social dhe i përballueshëm.

“Theks i veçantë do t’i jepet strehimit social, por edhe atij të përballueshëm. Gjithashtu, do të racionalizojmë shërbimin e urbanistikës dhe do të krijojmë një urë bashkëpunimi për rezistencën e infrastrukturës kritike. Këtu kam parasysh infrastrukturën mbrojtëse, kanalet, argjinaturat dhe hidrovoret, të cilat janë themelore për të mbrojtur tokat dhe shtëpitë nga përmbytjet dhe për të siguruar mirëfunksionimin e gjithë këtij sistemi”, tha Rama.

Rama bëri të ditur se është finalizuar diskutimi me Bankën e Shqipërisë dhe nivelin e dytë të bankave për rilançim programin e garancisë sovrane dhe të kredive, duke kaluar në një nivel tjetër të ndërmarrjeve.

Kryeministri u shpreh se kjo synon të mbështesë zgjerimin e biznesit dhe rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve në sektorë të ndryshëm, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit ekonomik.

“Linja e parë e kredisë ishte e fokusuar te bujqësia, fshati dhe agroturizmi. Tani do të jetë për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të rriten”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›