E Martë, 3 Nëntor 2026

Tabaku: Integrimi të përkthehet në ndryshime konkrete për qytetarët

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Gjatë seancës së sotme plenare, kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, vuri në dukje, sipas saj, mungesën e vullnetit real të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit europian.

Tabaku tha se rruga drejt Bashkimit Europian po trajtohet më shumë si një ushtrim formal, sesa si një reformë që prek jetën e përditshme të qytetarëve.

“Integrimi nuk mund të jetë thjesht një listë kriteresh apo një proces në letër. Ai duhet të përkthehet në ndryshime konkrete për qytetarët, në ekonomi më të fortë, drejtësi të pavarur dhe institucione që funksionojnë,” u shpreh Tabaku.

Tabaku tha se procesi i integrimit duhet të jetë për shqiptarët dhe jo për fasadë politike.

Ajo bëri thirrje që Kuvendi të diskutojë seriozisht raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar mungesën e standardeve, me zgjedhjet si një prej pikave kyçe që, sipas saj, po pengon realisht rrugën europiane të vendit.

Tabaku u ndal edhe te gjendja ekonomike e vendit, duke theksuar se sipas të dhënave të OECD-së, Shqipëria renditet e fundit në rajon në shumicën e treguesve kryesorë.

“Të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë vetëm 37% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto për frymë nuk kalon 20% të vendeve të BE-së,” tha Tabaku.

Tabaku foli edhe për investimet në infrastrukturë, ku sipas saj Shqipëria mbetet e fundit në rajon përsa i përket standardeve infrastrukturore.

“Rrugët tona janë më të kushtueshme dhe më pak funksionale, ndërkohë që vendi vazhdon të mos ketë një rrjet të përfunduar që e lidh me fqinjët dhe më tej me rrjetin europian,” shtoi ajo.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›