E Martë, 3 Nëntor 2026

Proda: Partneriteti dhe integrimi evropian, rruga e vetme drejt sigurisë afatgjatë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi sot nga Berati, ku Policia e Shtetit, në cilësinë e presidentes së SEPCA-s për vitin 2025 drejtoi punimet e Asamblesë rajonale të drejtuesve të policive të Evropës Juglindore, se, “Shqipëria mbetet një vend që beson në partneritetin dhe integrimin evropian si rruga e vetme drejt sigurisë afatgjatë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.

“Ballkani perëndimor ka mundësinë, por edhe përgjegjësinë të shndërrohet në një zonë sigurie kolektive, në një shembull konkret bashkëpunimi policor ndërkombëtar”, tha ai.

Në këtë drejtim, shtoi Proda, “Policia e Shtetit shqiptar ka përforcuar marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe, përfshirë bashkëpunimin me Interpol, Europol, Select, si dhe përmes mekanizmave të përbashkët për kontroll kufitar dhe shkëmbim informacioni”.

Ne, nënvizoi Proda, “jemi të përqendruar në hetime proaktive kundër narkotikëve dhe kemi goditur objektiva me rrezikshmëri të lartë”.

Po ashtu, vijoi kreu i Policisë së Shtetit, “kemi rritur kapacitetin operativ dhe bashkëpunimin ndërinstitucional kundër kontrabandës së migrantëve, trafikut të qenieve njerëzore, armëve dhe pastrimit të parave”.

“Veçanërisht kemi intensifikuar hetimet financiare me qëllim goditjen e burimeve ekonomike të grupeve kriminale dhe rikuperimin e pasurive të paligjshme. Kjo është një përparësi strategjike në vizionin tonë për një sistem drejtësie më efikas dhe më të drejtë”.

“Policia e Shtetit shqiptar është në një periudhë transformimi thelbësor, si nga strukturat e teknologjia, nga profesionalizimi i burimeve njerëzore, te forcimi i marrëdhënieve me komunitetin dhe pa dyshim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Proda.

“Shqipëria mbetet një vend që beson në partneritetin dhe integrimin evropian, si rruga e vetme drejt sigurisë afatgjatë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Proda.

Në kuadër të Presidencës shqiptare të SEPCA-së, Proda shprehu disa nga momentet më të rëndësishme të angazhimit të përbashkët.

“Janë zhvilluar trajnime në lidhje me hetimet financiare dhe luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve. Janë zhvilluar takime për luftën kundër krimit kibernetik, kriptovalutat, rrjetet sociale dhe platformat digjitale kriminale; takime në lidhje me promovimin e rolit të grave në polici, lidershipi dhe barazia gjinore me këto struktura. Gjithashtu, janë zhvilluar takime në lidhje me prezantimin e raportit të vlerësimit të kërcënimeve rajonale të SEPCA-s”, tha Proda.

Ai shtoi se, “këto nuk janë thjesht aktivitete, por janë hapa konkretë drejt ndërtimit të një platforme më të fortë bashkëpunimi dhe një kulturë të përbashkët sigurie”.

Duke falënderuar partnerët për bashkëpunimin, Proda u shpreh se, “në një botë pa kufi për krimin, detyra jonë është të ndërtojmë ura akoma më të forta dhe efikase komunikimi, bashkëpunimi dhe besimi me njëri-tjetrin”.

“Policia e Shtetit shqiptar do të vazhdojë të investojë në njerëzit e saj, në teknologji moderne dhe në marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetin dhe partnerët”, tha Proda.

“Ne do të jemi dhe mbetemi një partner i besueshëm në këtë luftë, si kundër narkotikëve, terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit, por edhe gjithë fenomeneve kriminale që cenojnë rajonin tonë”, theksoi ai.

“Të gjithë jemi sot këtu për të rikonfirmuar një të vërtetë të qartë, bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është një opsion, por tashmë një domosdoshmëri, është një mision i përbashkët”, u shpreh Proda.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›