Punësimi në sektorin publik, Rama: Më shumë ndërveprim mes individit dhe shtetit. Negociatat me BE, përpara me shpejtësi unike

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se tashmë qytetarët do të kenë më shumë mundësi për t’u informuar dhe për të aplikuar për vendet e lira në administratën publike, falë portalit puna.gov.al. Gjatë një aktiviteti të posaçëm për prezantimin e vendeve të lira të punës, ai theksoi se ky mekanizëm dixhital krijon një ndërveprim më të drejtpërdrejtë mes individit dhe shtetit, duke ofruar transparencë dhe akses të barabartë për të gjithë.
“Krijon më shumë ndërveprim mes individit në kërkim të një mundësie dhe shtetit që ka nevojë dhe prandaj ofron këto mundësi për të mundur të rekrutojë më të mirët dhe përfshinë për herë të parë të gjithë sistemin tonë publik në një pasqyrë ku të gjitha mundësitë janë të ekspozuara. Administrata publike ka provuar të kundërtën e shumë paragjykimeve që kanë rënduar mbi të. Ndërkohë që perceptimi për administratën publike ka qenë i rënduar nga paragjykimet, administrata ka përballuar një sfidë, një test të jashtëzakonshëm duke e përfaqësuar Shqipërinë me një dinjitet maksimal në të gjithë procesin e deritanishëm të negociatave”, tha Rama.
Duke u ndalur te integrimi europian, kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet e opozitës se procesi ka ngecur. Ai tha se negociatat po ecin me ritme të shpejta dhe se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt, duke u ballafaquar me Komisionin Europian dhe shtetet anëtare për piketat e ndërmjetme.
“Falë kësaj administrate procesi ecën përpara me sukses, me shpejtësi unike. Kemi hapur të gjithë kapitujt dhe po ballafaqohemi me Komisionin Europian. Komisionin Europian e kemi në krah dhe përballë kemi shtete anëtare për piketat e ndërmjetme që janë një moment kyç për negociatat dhe për të cilat Komisioni Europian ka dhënë vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë. Flitet lart e poshtë që negociatat janë penguar, janë bllokuar, janë ndaluar, kjo është totalisht e pavërtetë. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, por proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme. Ky provim që zhvillohet tani mes nesh dhe vendeve anëtare është kyç, por nuk ka asnjë motiv për të folur për bllokim. Jemi sipas agjendës së përcaktuar”, theksoi ai.
/rtsh.al/